U dënua me 3 vjet burgim për korrupsion: Kush është Jetmirja e Vrenezit me pasuri 'modeste'
Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje [LVV], Jetmire Vrenezi, me tri vjet burg dhe dy mijë euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Dënimi i saj ka të bëjë më rastin e qendrës tregtare Abi Çarshia në Prizren, ku tejkaluan kompetencat e tyre të detyrës.
Vrenezi veprën penale dyshohet se e kishte kryer në cilësinë e Drejtoreshës së Inspeksionit në Prizren, në kohën kur kjo komunë udhëhiqej nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kush është Jetmire Vrenezi?
Jetmire Vrenezi është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi fitoi mandatin e parë në zgjedhjet që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Ajo thuhet se ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Aktualisht Vrenezi është në përfundim të studimeve pasuniversitare në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës.
Deputetja ka punuar në disa kompani private të ndërtimit në Malishevë e Prishtinë.
Gjithashtu ka punuar edhe në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës dhe në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunen e Prizrenit.
Që nga viti 2012, ajo është angazhuar në aktivitete politike si aktiviste e Vetëvendosjes.
Për më tepër, Vrenezi ka qenë pjesë edhe në Kuvendin Komunal të Malishevës.
Pasuria e deputetes Vrenezi
Dhe... siç mund të pritej, Jetmire Vrenezi ka një pasuri goxha të madhe krahasuar me standardin e qytetarëve të Kosovës.
Ajo ka një shtëpi banimi me 300 metra katrorë, por për të thotë se i vlen vetëm 60 mijë euro. Megjithatë, ajo ka edhe një truall që i vlen 150 mijë dhe një tokë bujqësore që i vlen 25 mijë euro.
Ajo ka deklaruar edhe një veturë të vitit 2020 me një vlerë prej 7 mijë eurosh në pronësi të bashkëshortit.
Për këtë veturë që thotë se vlen 7 mijë euro, del se kredia e marrë është gati dyfish më e lartë: 13 mijë e 500 euro.
Sidoqoftë, kjo pasuri e deklaruar nuk është aq e madhe nëse krahasohet me atë të kolegëve të saj deputetë.
Për çka u dënua Vrenezi?
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SH.P.K në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshisë”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.