U dëmtua buxheti i shtetit: MPB dha 100 mijë euro paga për punëtorët serbë që s'dolën në punë - NACIONALE

U dëmtua buxheti i shtetit: MPB dha 100 mijë euro paga për punëtorët serbë që s'dolën në punë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur që Ministria e Punëve të Brendshme e drejtuar nga Xhelal Sveçla, ka vazhduar pagesat për disa punëtorë nga komuniteti serb, pavarësisht se ata nuk dolën në punë.

Madje, sipas raportit të ZKA-së për këto pagesa u shpenzuan mbi 100 mijë euro gjatë vitit 2022.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish MAP, ishte e obliguar t’i sistemoj 20 punonjës të komunitetit serb, pjesëtarë të structures ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 101,474€.” - thuhet në raportin e Auditorit për këtë Ministri.

Një praktikë e tillë, sipas ZKA-së ka ndodhur edhe më herët.

Përkundër kësaj, ZKA bën të ditur se “Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”.

“Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve…Pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit të ministries.” – bëhet e ditur tutje.

Ministrit Sveçla i është rekomanduar “që të ndërmarrë të gjitha veprimet për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”.

Sipas ZKA-së, pagesat e pagave, përkundër mosvijueshmërisë në punë, dëmtojnë buxhetin e ministrisë, rrjedhimisht, atë të Shtetit.

“Pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit të ministrisë.” – thuhet tutje.

Në raport, përmendet se sipas Nenit 8 të Rregullorës për Orarin e Punës dhe Pushimeve të Zyrtarëve, punonjësit obligohen që të jenë në punë gjatë orarit të punës, dhe duhet të shënohen në librin e vijueshmërisë.

“Neni 8 i Rregullores (QRK) Nr.12/2020 Për Orarin e Punës dhe Pushimet e Zyrtarëve, përcakton se “Gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publik janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik“.” – thuhet në këtë nen.

Lajme të ngjashme