Sveçla i tha mati llafet: Rastet tjera kur vartësit e Kurtit e bënë 'për pesë pare" Amerikën kohët e fundit - NACIONALE

Sveçla i tha mati llafet: Rastet tjera kur vartësit e Kurtit e bënë 'për pesë pare" Amerikën kohët e fundit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Reagimi brutalisht i ashpër i ShBA-ve për dhunën në veri ndaj Kosovës na zuri gati të gjithëve të papërgatitur. Por, jo edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën që i kërkoi partnerit të madh të Kosovës “të maste llafet”. Cilat janë rastet tjera kur vartësit e Kurti i kishin reaguar ashpër partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës?

Nuk po e përmendim kërcënimin që ia kishte bërë kryeministri Albin Kurti Sekretares Madeleine Albright.

“Nëse vazhdoni të insistoni në privatizimin e PTK-së, duhet të jeni të vetëdijshëm se unë dhe familja ime, duke u bërë thirrje të gjithëve atyre që njohim, do të ballafaqohemi me ju për t’ju penguar juve dhe Qeverinë që të vazhdoni me këtë proces që është i drejtuar kundër nesh.” – shkruhej në letrën e Kurtit dërguar znj. Albright në vitin 2012.

Çka tha Sveçla?

Blinkeni e lëshoi një reagim ku thoshte se i dënonte rëndë veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.

“(këto veprime) do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona bilaterale...”thuhej mes tjerash në atë reagim brutal.

E Sveçla e bëri një reagim shumë të ashpër, poashtu.

“Secili duhet të sillet me përgjegjësi.”e niste ai pjesën e dytë të postimit, duke i kërkuar pra edhe Amerikës që të sillej me përgjegjësi.

Por, ja se si e vazhdonte:

“Çdo humbje e jetës duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Përzgjedhja e balancuar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore. Keqparaqitja e realitetit mund të rezultojë në kosto njerëzore.”

Pra, ministri ynë po i kërkonte Amerikës që t’i maste fjalët/llafet kur fliste për veriun e vendit.

Për këtë rast, reagim të ashpër kishte pasur edhe Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit Kurti, që pa ofruar ndonjë provë i thoshte këto fjalë:

“Nës mbajtja e “stabilokracisë” nënkupton bmylljen e syve para sulmeve të orkestruara kundër institucioneve tona nga një numër kriminelësh e huliganësh të paguar nga Beogradi dhe të futur në listën e zezë nga Thesari Amerikan, atëherë jo falemnderit!”

Reagime të mëhershme?

Pasi Nënsekretarja amerikane, Victoria Nuland, e kishte falenderuar presidentit serb Aleksandër Vuçiq për “mbështetjen që i kishte dhënë për Ukrainën...” dhe për “përkushtimin për stabilitetin rajonal” Fëllanza Podrimja nga kryeministria e kishte tallur me këto fjalë:

“Joh, s’është e vërtetë... Serbia jo vetëm që ka marrëdhënie të mira, por i ka të SHKËLQYESHME me miqtë e saj...”

Ajo më pas e kishte fshirë këtë postim.

Reagim të ashpër ndaj një zyrtari amerikan kishte bërë edhe Donjeta Miftari, nga Presidenca, që i kishte thënë këto fjalë:

“Duket se ambasadori Hill ka vendosur që ta rishkruajë historinë...”

Kujtojmë se Nacionale e ka bërë një sondazh në faqen e saj në Facebook me pyetjen: A i ka dëmtuar Kurti raportet e Kosovës me Amerikën?

Deri tash, në 2379 votues – përkundër gjithë asaj që ndodhi – 49 për qind besojnë që JO.

Në anën tjetër, zv. ministri Avni Zogiani, para disa ditësh kishte shprehur gëzim për një lajm të rremë se "po zëvendësohej" Escobari.

Kujtojmë se kryeministri Kurti kishte bërë thirrje publike që të votohej Joe Biden për president të ShBA-ve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Voto edhe ti duke klikuar më poshtë:

Lajme të ngjashme