“Turp”: Përveç bojkotit, PDK-ja e kritikon ashpër fjalimin e Osmanit pse nuk e përmendi Thaçin
Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, i cili adresim u bojkotua nga ana e PDK-së dhe AAK-së. Në adresimin e saj, Osmani foli për shumë tema, përfshirë dialogun, draftin e Asociacionit, dhunën ndaj grave e marrëdhëniet me aleatët e Shqipërinë. Si gjithmonë, fjalimi i Osmanit u kritikua nga PDK-ja, së paku deri tani. Por për çka e kritikoi PDK-ja Osmanin?
E para që i reagoi Osmanit, gati menjëherë pas fjalimit të saj, ishte Ganimete Musliu, deputete e PDK-së. Në shkrimin e saj, Musliu e kritikoi Osmanin për shmangien e përmendjes së Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës, që aktualisht gjendet në paraburgim në Hagë.
Musliu e quajti Osmanin “grua të llastuar”.
“Vjosa Osmani edhe sot e deshmoj qe nuk mund të jetë më shumë se një Vjosë.
Kur flitet për historinë e Kosovës e nuk përmendet emri i Presidentit qe shpalli Pavarsinë e Kosovës, Presidentit Hashim Thaçi, kjo tregon injorancën dhe urrejtjen patetike të një gruaje të llastuar si Vjosa.
Prandaj unë sot nuk bojkotova adresimin e Presidentit te shtetit tim, bojkotova fjalimin e nje gruaje qe nuk mund të sherohet nga urrejtja patetike ndaj një epoke te lavdishme të historisë.” – shkroi ajo në Facebook.
Në të njëjtën logjikë argumentimi ishte edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi. Ajo e quajti “turp” shmangien e përmendjes së ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
“Presidente, asnjë fjalë për heronjtë e gjallë të Republikë së Kosovës që janë të burgosur në Hagë!!!TURP!” – shkroi Musliu-Shoshi.
Përveç kritikave në Facebook, opozita u tregua kritike edhe në Kuvend. Në fakt, dy partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, nuk morën pjesë farë në seancën ku Osmani e mbajti adresimin. Përveç këtyre dy partive, në seancë nuk u pa as deputetja e VV-së, Shqipe Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit.
Ndërsa LDK-ja ishte disi më e butë në reagimin e saj. Për dallim nga dy partitë opozitare, LDK-ja mori pjesë në seancën e adresimit të Osmanit. Megjithatë, LDK-ja bëri një “refuzim estetik”, duke mos u çuar në këmbë për të duatrokitur Osmanin pas përfundimit të fjalimit.
Ndryshe Osmani në fjalimin e saj e përmendi UÇK-në, komandantin legjendar Adem Jashari dhe Ibrahim Rugovën, ish-president i Kosovës, që udhëhoqi rezistencën paqësore kundër Serbisë.
Ndryshe, Osmani në fjalimin e saj kërkoi unitet rreth draft-statutit të Asociacionit. Komandantja Supreme vlerësoi se vetëm Gjykata Kushtetuese është kompetente ta jap vlerësimin për kushtetutshmërinë e statutit të Asociacionit.
“Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se drafti i tillë është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dua të ritheksoj se institucioni që do të duhej ta bëj këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga primi i pavarësisë dhe profesionalizimit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndesi që të gjithë ne, pa dallime partiak të ulemi dhe bashkarish të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësime që mund t`i kemi dhe ti dërgojmë ato në Gjykatë Kushtetuese kurdo që ky draft të dorëzohet para këtij institucioni.” – deklaroi Osmani.
Ajo ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të shmangen shqetësimet.
“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm te qeverisjes apo anomali tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, shtoi Osmani.