PDK i përgjigjet tërthorazi propozimit të LDK-së: Tryezë gjithëpërfshirëse, vetëm me iniciativën e Presidentes - NACIONALE

PDK i përgjigjet tërthorazi propozimit të LDK-së: Tryezë gjithëpërfshirëse, vetëm me iniciativën e Presidentes

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Qeveria e re duhet të vijë nga opozita e djeshme”; “VV mban përgjegjësinë për krizën aktuale”; “Presidentja mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një tryeze gjithëpërfshirëse me të gjitha subjektet parlamentare.” – Këto, përmbledhtazi, ishin qëndrimet mbi të cilat Partia Demokratike e Kosovës artikuloi qëndrimin e saj politik në këtë kohë, përmes një komunikate zyrtare pas mbledhjes së Kryesisë.

Ndërkohë që Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar – duke bllokuar kështu edhe rrjedhën kushtetuese për formimin e qeverisë – PDK vlerëson se Kosova po kalon një krizë të thellë institucionale, të shkaktuar nga, siç thuhet, sjellja e papërgjegjshme e koalicionit fitues të zgjedhjeve.

“Për këtë arsye që nga përfundimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar takime me të gjitha partitë politike parlamentare – përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse e konsiderojmë atë përgjegjëse kryesore për krizën aktuale. Ky angazhim është shprehje e bindjes sonë se dialogu dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional.”

Më tej, PDK vlerësoi se vetëm Presidentja ka të drejtë të ndërmarrë nismën e organizimit të një tryeze gjithëpërfshirëse me të gjitha partitë parlamentare – një qëndrim që në mënyrë të tërthortë i përgjigjet edhe propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e një “Qeverie Nacionale të Tranzicionit”.

Për partinë e dytë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, është Presidentja e Kosovës që me rolin e institucionit mbi-partiak “mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi.”

“Në këtë frymë, konsiderojmë se Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak dhe me mandat legjitim, mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale.” – thuhet më tej në komunikatë.

PDK-ja e konsideron si rrugëdalje të vetme formimin e një qeverie të re nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Një qeveri, siç thuhet, që do të frenonte rrënimin institucional, do ta nxirrte vendin nga izolimi ndërkombëtar dhe do të vendoste prioritete të reja në shërbim të qytetarëve dhe integrimit euroatlantik.

“PDK angazhohet dhe është e bindur se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re, e përbërë nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë. Një qeveri që do të ndalte degradimin institucional, do ta nxirrte Kosovën nga izolimi ndërkombëtar dhe do të zbatonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim. Me një listë të dakorduar të prioriteteve shtetërore, të cilat do ta rikthenin Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik.”

Ndërsa Kuvendi dështoi për të dymbëdhjetën herë në zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit, PDK i bëri thirrje koalicionit VV - GUXO - Alternativa që “të mos abuzojë edhe më tej me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit, por, të pranojë realitetin politik dhe të reflektojë për të mos e mbajtur peng edhe më tutje shtetin për interesa të ngushta partiake.”

Lajme të ngjashme