Tronditja e radhës tarifore: Thesi me kosto e borxhe që po bëhet gati për xhepin e qytetarëve
Kosova po rrëshqet drejt një tjetër tronditjeje tarifore për vitin 2026. Kërkesa e re e KESCO-s i ngjan një thesi të rëndë, të mbushur me kosto ku peshojnë edhe politikat e qeverisë "Kurti II". Paradoksalisht, këto politika jo vetëm që nuk prodhuan zgjidhje për alarmet që dikur i ngriti Albin Kurti si opozitar – për shembull të mos vazhdonim të flenim mbi qymyr – por, disa prej tyre, për shkak të natyrës së vendimit, u kthyen në bumerang, duke shtuar presionin për rritje të mëtejshme të çmimit të rrymës
Por, për Kurtin që ka udhëhequr vendin përgjatë gjithë kësaj periudhe krize energjetike, fajin e gjen kudo përveçse te vetja: "Temperaturat nëpër dhoma i kemi më të ulëta se sa është normalja".
Në zemër të aplikimit për shtrenjtimin e ri qëndron shifa e plot 229.04 milionë eurove, që kërkohen vetëm për të blerë energjinë që na duhet. Importi, ndonëse zë një pjesë të vogël të sasisë, vetëm 9%, "ha" pjesën më të madhe të parave, duke marrë 29.1 për qind të kostos totale.
Bazuar në të lartë-thënat dhe konform Rregullës për të Hyrat e FSHU-së, kostot totale për mbulimin e konsumit të parashikuar për vitin 2026 janë vlerësuar si 229.04 milion €.
| Përshkrimi | GWh | mil€ |
|---|---|---|
| KEK Gjenerimi në % | 80.0% | 48.1% |
| Importi në % | 9.0% | 29.1% |
| Prodhimi nga BRE-të vendore në % | 10.9% | 14.5% |
| Komponentët Financiare në % | - | 8.4% |
| Kostot e Blerjes së Energjisë me Shumicë | 4,665.00 | 229.04 |
Dokumenti e pranon hapur këtë disproporcion. Aty thuhet se ndryshe nga prodhimi vendor, energjia nga importi është “komponenti më i ndjeshëm i strukturës së kostove... për shkak të ekspozimit të drejtpërdrejtë ndaj kushteve të tregut”.
Efekti i Inflacionit
Pastaj vijmë te ajo që në çdo shtëpi kosovare njihet si "kriza e kostos jetesës", e që KESCO e quan me termin "kosto operative".
Logjika e është e njëjtë me atë të çdo familjeje: gjithçka është shtrenjtuar, prandaj buxheti i vjetër nuk del më. KESCO ankohet se paratë që u janë lejuar nuk kanë më vlerën e dikurshme, pasi “vlera reale e parasë është dobësuar ndjeshëm si pasojë e inflacionit”.
Ata paralajmërojnë se “niveli aktual i shpenzimeve operative të lejuara nuk reflekton plotësisht këto zhvillime ekonomike”. Sipas dokumentit, nëse rregullatori nuk i njeh këto kosto shtesë, kjo situatë “rrezikon të vështirësojë operimin e qëndrueshëm dhe përmbushjen e standardeve të nevojshme”.
Bumerangu i Pagës Minimale
Pika më ironike e kërkesës lidhet me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale. Ajo që u prezantua si vendim në ndihmë të punëtorëve etësektorit privat në një veprim të pastër korrupsion publik në prag zgjedhjesh, në këtë aplikim kthehet në argument kryesor për të kërkuar më shumë para nga po ata qytetarë.
KESCO e lidh direkt këtë vendim qeveritar me nevojën për rritjen e tarifave. Ata citojnë vendimin për pagën “425 euro nga janari 2026 dhe në 500 euro nga korriku 2026”, duke paralajmëruar se kjo sjell “një efekt zinxhiror në kostot operative”.
Sipas tyre, rritja e pagës minimale do të shtrenjtojë automatikisht “çmimet e shërbimeve esenciale... si sigurimi fizik, pastrimi, mirëmbajtja”. Pra, rritja e pagës përdoret si "karburant" për të justifikuar faturën më të lartë.
"Faktori Korrigjues":
Por ajo që e rëndon më shumë xhepin është mënyra se si "gabimet" e së kaluarës na kthehen sot për sot. E quajnë "Faktor Korrigjues", por në fakt është thjesht një faturë e vjetër që na vjen në derë tani. Për 2026-n, kjo i bie të na kushtojë 49.54 milionë euro.
Vetë dokumenti e pranon se kjo histori është bërë "avaz i vjetër". Aty thuhet se “faktori korrigjues për vite me radhë është duke u bartur nga një vit në tjetrin në vlera të konsiderueshme”, sepse tarifat që paguajmë ne “nuk kanë reflektuar plotësisht kostot reale”.
Për ta kuptuar si krijohet kjo gropë që ne duhet ta mbushim, mjafton të shohim vitin e kaluar. Aplikimi i vitit 2025 tregon se u desh të importoheshin “shtesë 168 GËh energji elektrike me një kosto totale prej 47.8 milionë euro”. Një pjesë e madhe e kësaj, rreth 35.6 milionë euro, u shpenzua vetëm në tre muajt e fundit të vitit. Ky minus i krijuar dje, kthehet në faturë sot.
“Të dhënat tarifore tregojnë se faktori korrigjues për vite mme radhe është duke u bartur nga një vit në tjetrin në vlera të konsiderueshme, që tregon qartë se tarifat e aplikuara nuk kanë reflektuar plotësisht kostot reale të furnizimit me shërbim universal, efekti i të cilave ka sifudar tërë sektorin elektroenergjitë. Në këtë kontekst, njohja dhe trajtimi korrekt i faktorit korrigjues në këtë aplikim tarifor është thelbësore për të rikthyer balancën financiare, për të shmangur akumulimin e mëtejshëm të diferencave nga viti në vit dhe për të siguruar që FSHU të ketë kapacitetin financiar për të përmbushur obligimin e tij ligjor për furnizim të pandërprerë dhe të sigurt. Përfshirja e këtyre kostove në tarifa është në përputhje me parimet e rregullimit të drejtë, transparencës dhe mbulimit të kostove të arsyeshme, si dhe me objektivin për funksionim të qëndrueshëm të shërbimit universal në interes të konsumatorëve dhe stabilitetit të sektorit.” – thuhet në document.