Tri vjet nga rrëzimi i Qeverisë Kurti I - NACIONALE

Tri vjet nga rrëzimi i Qeverisë Kurti I

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot janë rrumbullaksuar tri vite nga rrëzimi i Qeverisë Kurti I, pasi Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të 44 deputetëve, me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, mbështeti mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, të propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, doli fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019 dhe ajo arriti të bëjë koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e drejtuar nga Isa Mustafa në atë kohë.

Më 25 mars të vitit 2020, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i mbledhur në seancë plenare. Në këtë seancë me kërkesë të 44 deputetëve nisi votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, të propozuar nga grupi parlamentar i LDK-së.

Teksti i mocionit dhe arsyetimi i tij, në cilësi të iniciuesit, u lexuan nga kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai tha se ky mocion ka ardhur si pasojë e një mosveprimi të gjatë në lidhje me heqjen e plotë të tarifës, veprim ky që, siç tha ai, ishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duke e bërë vendin subjekt të sanksioneve ekonomike amerikane.

“Në kohën kur vendi ka më së shumti nevojë për unitet të brendshëm dhe angazhim të plotë institucional në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, kryeministri Kurti vendosi t’i japë fund marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, pati deklaruar Gashi.

Në anën tjetër, Rexhep Selimi nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, inicuesve të këtij mocioni iu tha se “në vend që të ishim aleatë, në kohën kur qytetarët kanë sytë kah qeveria dhe bota është në luftë kundër koronavirusit, ju zgjodhët aleatë kundërshtarët, meqë thirrët mocionin për rrëzimin e qeverisë”.

“LDK-ja, sot bashkë me aleatët e vjetër që duken sikur aleatë të rinj, po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën deri më tani. Pra, kërkojnë rrëzimin e qeverisë, kur bota po vazhdon sërish të përballet me këtë pandemi si problem tashmë global”, pati thënë Selimi.

Në anën tjetër Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në atë kohë u shpreh se ka fjalim vetëm qytetarëve të Kosovës.

“Të nderuar qytetarë, sonte iu drejtohem vetëm juve, sepse si deputetë mjaftueshëm i jemi drejtuar njëri-tjetrit me fjalë që lëndojnë raportet tona dhe qytetarët. Ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku shumë politikanë nuk e duan ndryshimin. Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan. Sot ne rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi. Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, sepse në çastin që unë po flas Kosova dhe mbarë njerëzimi po përballen me sfidën e madhe të COVID19. Në këtë çast kur egoja jonë po kërkon t’i përmbushim apetitet politike, mjekët po përpiqen të shpëtojnë çdo jetë. Por ne kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre jetësore, duke larguar qeverinë kur më së shumti ata kanë nevojë. Ne sot do të duhej të diskutonim e të merrnim vendime për t’ua lehtësuar punëtorëve shëndetësorë punën”, pati theksuar Osmani.

Me këtë, kryetarja Osmani pati mbyllur punimet e seancës.

Kujtojmë se pas rënies së Qeverisë Kurti, u votua qeveria e re në krye Avdullah Hotin nga radhët e LDK-së, e cila gjithashtu nuk pati jetë të gjatë, pas aktgjykimit të Kushtetueses se zgjedhja e saj ishte bërë në mënyrë jolegjitime dhe kështu vendi shkoi sërish në zgjedhje të reja.

Pas një viti prej rrëzimit të Qeverisë Kurti I, në pushtet është Qeveria Kurti II. Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt. Fitoi 50.28 për qind, përkthyer në mandate – 58. Me votat edhe të disa deputetëve të komuniteteve joshumicë, Qeveria Kurti II u votua më 22 mars.

Lajme të ngjashme