Tri vajza të dhunuara në raportin e fundit 24-orësh: Çka ndodhi?
Tri raste të dhunimit janë raportuar në raportin e fundit 24 orësh të Policisë së Kosovës. Dhe në të trija, të dyshuarit për kryerjen e kësaj vepre janë burra ndërsa viktimat janë gra. Por, çka ndodhi?
Rasti më i rëndë është raportuar në orën 2 e 50 të mëngjesit në Prizren. Për (sic) keqtrajtimin dhe dhunimin e një vajze janë arrestuar dy burra, që të dy kosovarë.
Policia nuk ka ofruar ndonjë informacion se kush e ka lajmëruar rastin, apo se kur ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Në paragrafin e vetëm që ofrohet thuhet:
“DHUNIM/Prizren 26.03.2022-02:50. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar nën dyshimin se kanë keqtrajtuar dhe dhunuar viktimën femër kosovare. Njësitë relevante policore kanë dalur në vendin e ngjarjes. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa viktima do të dërgohet në IML për ekzaminim mjekësor. Rasti vazhdon të hetohet”
Po në raportin e fundit policor është lajmëruar edhe një rast që kishte ndodhur para dy muajsh.
Një nënë ka shkuar në Polici për të treguar se një burrë e kishte dhunuar vajzën e saj.
Policia në raportin policor e vendos fjalën e të dyshuarit se “nuk ka pasur ndonjë kontakt fizik me viktimën” por jo edhe atë të vajzës.
Ky rast dyshohet të ketë ndodhur në Ferizaj.
“DHUNIM /Ferizaj 2022-NN. Ankuesja femër kosovar e ka raportuar se vajza e saj para rreth dy muajve është dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari i cili deklaron se nuk ka pasur ndonjë kontakt fizik me viktimën. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”
Një tjetër rast dhunimi është raportuar në Gjakovë. Aty lajmërohet për arrestimin e të dyshuarit për dhunim dhe dërgimin e tij në mbajtje.
“DHUNIM/Gjakovë, 26.03.2022-20:56. Ështe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi qe i njëjti dyshohet se ka dhunuar viktimën femër kosovare. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuarit dërgohet në mbajtje, ndërsa viktima do të dërgohet në IML për ekzaminim mjekësor. Rasti vazhdon të hetohet,”
E P Ë R B A SH K Ë T A
Nuk ndodh shpesh që të raportohen tri raste të përdhunimin në një raport të vetëm 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Në këto raste, përshkrimet policore janë të zbehta dhe shumë burokratike gjë që pamundëson edhe ngritjen e vetëdijes kundër një dukurie shqetësuese siç është dhuna ndaj grave.
Te të trija rastet, kemi arrestimin e personave dhe dërgimin e tyre në mbajtje. Në dy prej tyre (Gjakovë e Prizren) viktimat janë dërguar në IML për ekzaminim mjekësor derisa në rastin e Ferizajt që kishte ndodhur dy muaj më parë nuk dihet se si do të procedohet tutje me rastin.
Policia e Kosovës nuk ka mbajtur fushata për të rritur vetëdijen kundër dhunës ndaj grave duke prezantuar edhe statistikat e raportimeve që ka në dispozicion. Një gjë e tillë duket e domosdoshme pas daljes së këtyre rasteve në dritë por edhe të rasteve të mëhershme që kanë tronditur vendit.