Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë
Në 24 orët e fundit në Kosovë, janë raportuar 3 raste të dhunës në familje.
Siç thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, rastet kanë ndodhur në Novobërdë, Prizren dhe Vushtrri.
Në Novobërdë një grua ka raportuar se një burrë në vazhdimësi ka ushtruar dhunë psiqike ndaj saj.
Siç thuhet në raport, me vendim të prokurorit pas intervistimit që të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
“Novobërdë 22.02.2023 – 14:30. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.
Në Prizren është arrestuar një burrë pasi ka ushtruar dhunë psiqike ndaj bashkëshortes së tij. Siç thuhet në të njëjtin raport, i dyshuari ka qenë nën ndikim të alkoolit.
“Prizren 22.02.2023 – 21:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës, bashkëshortes së tij. I dyshuari ka qenë në ndikim të alkoolit me 2.23 promilë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet ndër të tjera në raport.
Edhe në Vushtrri është raportuar një rast i dhunës në familje. Siç thuhet në raportin e policisë, është arrestuar një person pasi gjatë seancës gjyqësore kishte kërcënuar bashkëshorten e tij. I njëjti është dërguar në mbajtje.
“Vushtrri 22.02.2023 – 09:30. I dyshuari mashkull kosovar gjatë seancës gjyqësore ka kanosur bashkëshorten e tij femër kosovare (palë në proces gjyqësor). Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.
