Tri palë zgjedhje në 16 muaj: qysh u tkurr pjesëmarrja dhe u rishkrua pesha partiake - NACIONALE

Tri palë zgjedhje në 16 muaj: qysh u tkurr pjesëmarrja dhe u rishkrua pesha partiake

2 orë më parë

nga NACIONALE

Mes shkurtit 2025 dhe qershorit 2026, qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit tri herë për zgjedhje parlamentare.

Me përfundimin e numërimit të votave në zgjedhjet e 7 qershorit, krahasimi i shifrave në këto tri palë zgjedhje na nxjerr në pah tendenca domethënëse: partitë ndryshuan peshën e tyre elektorale, por luhatja më e madhe u shënua te pjesëmarrja e qytetarëve.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Përqindja e votave për partitë kryesore

Krahasim i rezultateve për katër partitë kryesore në tri palë zgjedhje. Shifrat për qershorin 2026 janë paraprake.

Burimi: KQZ. Rezultatet e qershorit 2026 janë paraprake.

Në shkurt 2025 votuan 966,283 qytetarë; në dhjetor 2025, 953,205; ndërsa në qershor 2026 kjo shifër zbriti në 812,324.

Rrjedhimisht, vetëm nga dhjetori në qershor, në kutitë e votimit munguan 140,881 vota. E shprehur në përqindje, pjesëmarrja shënoi një rritje të lehtë mes shkurtit dhe dhjetorit 2025, duke shkuar nga 46.55% në 47.68%.

Megjithatë, në qershor 2026 pësoi rënie drastike, duke prekur kuotën e 37.03%, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me dhjetorin, kjo përkthehet në tkurrje prej 10.65 pikësh përqindjeje.

Kjo rënie u interpretua si reflektim i lodhjes së elektoratit, ku brenda 16 muajsh u votua tri herë.

Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje mbeti forca më e madhe politike në të tria proceset zgjedhore, por u karakterizua nga lëkundje jo të vogla përgjatë tyre.

Në shkurt 2025, subjekti i drejtuar nga Albin Kurti fitoi 42.30% të votave dhe 48 mandate, duke u renditur e para, por ende larg pragut të shumicës absolute prej 61 ulësesh.

Ngërçi në formimin e qeverisë e dërgoi vendin në zgjedhje të reja, nga të cilat LVV-ja përfitoi ndjeshëm: në dhjetor 2025, partia mori 51.10% të votave dhe 57 mandate, rritje e konsiderueshme prej rreth 90,290 votash dhe 8.8 pikësh përqindjeje krahasuar me shkurtin.

Megjithatë, dështimi i radhës në zgjedhjen e presidentit, çka e çoi vendin sërish drejt kutive të votimit në zgjedhje të jashtëzakonshme, rezultoi në goditje për partinë e Albin Kurtit.

Kjo parti ra në kuotën e 47.13% të votave, duke mbetur mbi nivelin e shkurtit 2025, por me 3.97 pikë përqindjeje më pak sesa në dhjetor.

Partia Demokratike

Për dallim nga rivalët, PDK-ja dëshmoi stabilitet më të lartë përgjatë gjithë periudhës: duke siguruar 20.95% në shkurt 2025, 20.19% në dhjetor 2025 dhe 19.44% në qershor 2026. Ndonëse u tregua më e konsoliduar elektoralisht, kjo parti nuk tregoi ndonjë rritje progresive.

PDK-ja nuk pësoi tkurrje të madhe gjatë “valës” së rritjes së Vetëvendosjes në dhjetor, kur theu pragun prej 51%, por gjithashtu nuk arriti të zgjerojë radhët e saj kur mbështetja për VV-në shënoi rënie në zgjedhjet e qershorit.

E përkthyer në vota absolute, realiteti rezulton jo aq i favorshëm për PDK-në. Në shkurt 2025 partia e Bedri Hamzës numëroi 196,474 vota; në dhjetor pësoi rënie të lehtë në 192,434 vota; ndërsa në qershor 2026 zbriti në 157,892 vota.

Nga shkurti në qershor, PDK-ja regjistroi 38,582 vota më pak. Vetëm mes dhjetorit dhe qershorit, humbja del në të jetë rreth 34 mijë vota, ndonëse rënia duhet analizuar në kontekstin e një pjesëmarrjeje më të ulët në rang vendi: në qershor votuan 812,324 qytetarë, krahasuar me 953,205 në dhjetor.

Lidhja Demokratike

Mes subjekteve opozitare, LDK-ja pësoi luhatjet më drastike.

Pas rezultatit të shkurtit 2025, kur arriti të sigurojë 171,357 vota (18.27%) dhe 20 mandate, subjekti pësoi tkurrje të thellë në zgjedhjet e dhjetorit.

Gjatë atij procesi zgjedhor, LDK-ja ra në 126,163 vota (ose 13.24%), duke u reduktuar në 15 mandate.

Zgjedhjet e qershorit 2026 shënuan rimëkëmbje pas kësaj goditjeje të rëndë të fundvitit; LDK-ja u ringrit në 135,567 vota (16.69%) dhe fitoi tre mandate shtesë, duke e rritur praninë e saj në 18 ulëse në total.

Megjithatë, ndonëse arriti të kthejë trajektoren nga pika e saj më kritike, LDK-ja nuk mundi të rikuperojë rezultatin e shkurtit 2025 (kur numëronte mbi 171 mijë vota), pavarësisht faktit që kësaj radhe lista e saj ishte pasuruar me përfshirjen e ish-presidentes Vjosa Osmani.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Duke garuar në koalicion të përbashkët me Nismën në shkurt 2025, ky subjekt mori 66,256 vota (7.06%) dhe 8 mandate.

Rezultati i saj elektoral reflektoi tkurrje në dhjetor të vitit 2025, kohë kur ra në 52,423 vota (5.50%) dhe 6 mandate. Por, zgjedhjet e qershorit 2026 rezultuan në rritje të lehtë por të qëndrueshme, ku AAK siguroi 54,729 vota (6.74%) dhe 7 mandate, me Ardian Gjinin bartës të listës.

Rritja nga dhjetori drejt qershorit ishte modeste, por e prekshme: 2,306 vota më shumë, një rritje me 1.24 pikë përqindjeje dhe një mandat shtesë. AAK-ja ruajti pozicionin e saj si forca e katërt politike dhe, përkundër pjesëmarrjes së ulët në nivel vendi, arriti të mbajë peshën e saj parlamentare.

Lajme të ngjashme