Tri ditët e fundit të fushatës, kjo është agjenda e partive politike - NACIONALE

Tri ditët e fundit të fushatës, kjo është agjenda e partive politike

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Fushata zgjedhore ka hyrë në tre ditëshin e fundit derisa partitë politike po mbajnë mbledhime zgjedhore anekënd vendit.

Me tregime fajhedhëse e shfajësimi dominohet kryesisht fushata, ndërsa partitë politike aty-këtu edhe japin zotimet e tyre zgjedhore.

Vetëvendosja e Albin Kurtit jep zotimet e saj për 1 miliard në prodhim, 1 miliard në ushtri, 1 miliard në investime kapitale, ndërsa asnjëra prej tyre s’është dhënë e shkruar në letër se si do të shpaloset në zbatim.

Albin Kurti zotimet senzacionale vazhdon t’i ketë çështje të mbrojtjes e sigurisë, siç është më e fundit krijimin e një xhandarmërie të Kosovës si kundërpërgigje ndaj xhandarmërisë serbe “te vija e gjelbër kufitare.”

Veç këtyre, Kurti e ka ndërtimin e një fabrike municionesh të kalibreve të lehta, për të cilët pretendon se “fishekët e parë do t’i prodhojmë pa u mbyllur viti.”

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në anën tjetër, zotimet i kanë shtruara në rrafshin ekonomik për çka ata konsiderojnë se qytetari i Kosovës është përballë një papërballueshmërie financiare të jetës.

Kjo referuar rënies së fuqisë blerëse të qytetarit krahas inflacionit dhe indikatorëve të rëndë ekonomik ku Kosova vijon të ketë treguesit më jopremtues të jetesës: si vendi i dytë më i varfër në Evropë, si vendi me varfërinë ekstreme më të madhe në rajon dhe me një popullatë që ikën në shifra alarmante, sipas të dhënave të EUROSTAT, që tregojnë zbrazje të vendit me shifra më të larta për kokë banori se vendet në luftë si Ukraina.

Lëvizja Vetëvendosje sot mban tubim zgjedhor në rajonin e Drenicës, përkatësisht në Skenderaj e Drenas, prej orës 16:00 dhe 17:30 për të vazhduar pastaj në Mitrovicë.

Ndërakq PDK-ja mban tubim zgjedhor në Dragash, Prizren dhe Rahovec.

LDK-ja tubim mban në Vushtrri, Podujevë, dhe pastaj në Prishtinë.

Ndërsa AAK-ja mban tubm në Suharekë.

Lajme të ngjashme