Tregtia e jashtme e Kurtit: 19 miliardë euro deficit tregtar brenda katër viteve
Ndërsa Kosova i afrohet zgjedhjeve të 9 shkurtit, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi tregtinë e jashtme (2021-2024) rrëzojnë në plotni narrativën suksesit në tregtinë e jashtme, të pretenduar nga Kryeministri Kurti, sipas të cilit Kosova po orientohej drejt eksportit nën udhëheqjen e tij.
Deficiti tregtar kumulativ i Kosovës në katër vitet e fundit nuk përbën thjesht një statistikë – qëndron si përgenjështures i suksesit të shumëtrumbetuar nga kreu i qeverisë: 19 miliardë euro disbalancë tregtare në katër vjet.
Bilanci tregtar, që tregon diferencën mes vlerës së produkteve të eksportuara dhe atyre të importuara, pasqyron një trend të frikshëm: një thellim alarmues të deficitit tregtar, me eksportet që ndonëse paten një rritje impresive në vitin 2022, mbeten të zbehta në vitet pasuese. Importet në anën tjetër, u rriten eksponencialisht.
| Periudha | Eksportet (FOB) | Importet (CIF) | Bilanci tregtar | Përqindja e mbulimit |
|---|---|---|---|---|
| 2021 | 755,726 | 4,684,198 | -3,928,472 | 16.1% |
| 2022 | 920,405 | 5,639,393 | -4,718,989 | 16.3% |
| 2023 | 863,141 | 5,917,027 | -5,053,886 | 14.6% |
| 2024 | 941,250 | 6,332,896 | -5,391,646 | 14.9% |
| Totali | 3,480,522 | 22,573,514 | -19,092,993 | 15.48% (mesatare) |
(Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovë)
Në vitin 2021, Kosova eksportoi mallra me vlerë 755.7 milionë euro, ndërsa importet tejkaluan 4.68 miliardë euro, duke prodhuar një deficit prej -3.92 miliardë eurosh. Kjo disbalancë u thellua ndjeshëm në vitet pasuese.
Ndonëse viti 2022 shënoi një rritje të eksporteve në 920.4 milionë euro, ky momentum pozitiv u zbeh në vitin 2023, kur eksportet ranë në 863.1 milionë euro.
Ndërkaq, importet vazhduan trendin e tyre rritës, duke arritur 5.91 miliardë euro. Deficiti tregtar i vitit 2023 u thellua në 5.05 miliardë euro.
Trendi i thellimit të defictit tregtar vijoi edhe në vitin 2024. Eksportet arritën një nivel paksa më të lartë, prej 941.2 milionë eurosh, ndërsa importet tejkaluan 6.33 miliardë euro, duke sjellë një deficit rekord prej 5.39 miliardë eurosh.
Në shumë paraqitje në fillim të mandatit, Kurti zotohej se qeveria do ta transformojë Kosovën në një vend me fokus në rritjen e eksporteve.
Një bum i shkurtër pas pandemisë u vu re në vitin 2022, me eksportet që arritën kulmin prej 920.4 milionë eurosh.
Megjithatë, në vitet pasuese eksportet nuk shënuan ndonjë rritje domethënëse dhe deri në fund të vitit 2024, ato ishin vetëm pak mbi nivelin e vitit 2021.