Tre të vrarë nga sulmet ruse me dronë në rajonin e Kievit - NACIONALE

Tre të vrarë nga sulmet ruse me dronë në rajonin e Kievit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre persona janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë plagosur nga sulmet ruse me dronë në rajonin e Kievit gjatë natës së kaluar, thanë zyrtarët ukrainas të mërkurën në mëngjes.

Administrata rajonale ushtarake në Kiev raportoi se një objekt civil është dëmtuar dhe se punëtorët e shpëtimit janë duke punuar në vendin e ngjarjes, raporton gazeta “The Guardian”.

Agjencia “Reuters” raporton se ushtria ukrainase ka thënë se ka rrëzuar 16 nga 21 dronët e prodhimit iranian, “Shahed”, të lëshuar nga Rusia në Ukrainë gjatë natës.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink, reagoi ndaj këtyre sulmeve, duke thënë: “Pas tërë bisedimeve në Moskë dje, më shumë raketa ruse e më shumë sulme me dronë ndaj civilëve gjatë natës bëjmë të qartë në mënyrë të përsosur se sa shumë interesim ka presidenti Putin për paqe të drejtë ose për përfundimin e luftës që ai e ka nisur.”

Televizioni shtetëror ukrainas raportoi se edhe vendbanimi Kurakhove në Donetsk u sulmua katër herë të martën. Nuk raportohet për pasoja në njerëz, por thuhet se tetë rezidenca private janë dëmtuar.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Sllovakisë 12 helikopterë të tipit “Bell AH-1Z Viper” me çmim për dy të tretat më të ulët se çmimi i tyre normal, pasi Bratisllava i dhuroi Kievit aeroplanë luftarakë të tipit “MiG-29”, tha të mërkurën ministri i Mbrojtjes i Sllovakisë, Jaroslav Nad.

Lajme të ngjashme