Tre të vdekur e një i zhdukur nga reshjet rekorde në qytetin më të madh të Zelandës së Re - NACIONALE

Tre të vdekur e një i zhdukur nga reshjet rekorde në qytetin më të madh të Zelandës së Re

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autoritetet në Zelandën e Re thanë të shtunën se tre persona kanë vdekur dhe të paktën një tjetër është zhdukur pas nivelit rekord të reshjeve të shiut në qytetin më të madh të këtij shteti, Auckland, duke shkaktuar pengesa të mëdha.

Kryeministri Chris Hipkins shkoi në këtë qytet përmes një aeroplani ushtarak, pasi autoritetet e shpallën gjendjen emergjente në rajon, raporton agjencia “Associated Press”.

“Prioriteti ynë është që të sigurohemi se banorët e qytetit Auckland janë të sigurt, se janë të strehuar dhe se kanë qasje në shërbime elementare për të cilat kanë nevojë”- tha kryeministri Hipkins.

Ai shtoi se qyteti ka nevojë për pastrim të gjerë dhe se njerëzit duhet të qëndrojnë brenda, nëse është e mundshme. Kryeministri tha, gjithashtu, se moti mund të përmirësohet për një kohë të shkurtër, por janë parashikuar reshje të reja të dendura.

“Kjo është një ngjarje e pashembullt në kujtesën e re”- tha Hipkins-i. E premtja ishte dita me më së shumti të reshura që janë regjistruar ndonjëherë në Auckland, sipas agjencive të motit. Për një ditë pati reshje sa sasia e zakonshme që bie gjatë tërë verës. Të premten në mbrëmje, më shumë se 15 centimetra shi ranë për vetëm tri orë në disa zona.

Shiu shkaktoi mbyllje të autostradave e u fut nëpër shtëpi. Qindra njerëz mbetën të ngujuar në aeroportin e qytetit gjatë natës, pasi të gjitha fluturimet u ndërprenë dhe një pjesë e objektit u vërshua.

Policia tha se e ka gjetur trupin e një burri në një kanal të vërshuar dhe një tjetër në një parking të vërshuar. Autoritetet thanë se ekipet e zjarrfikësve dhe ekipet emergjente kanë gjetur një trup tjetër, pasi rrëshqitja e dheut kishte shembur një shtëpi në Remuera. Policia tha se një person është ende i zhdukur, pasi është bartur nga uji.

Kryeministri Hopkins tha se furnizimi me rrymë është kthyer në shumicën e vendeve, edhe pse rreth 3.500 shtëpi ende nuk kanë energji elektrike.

Lajme të ngjashme