Transporti publik falas
Shkruan Dardan Sejdiu
Një prej telasheve për ne që kemi qenë të angazhuar në politikë e në funkisone qeverisëse është që sa herë që jep dhe shtyn propozime për politika publike përpara, shpeshherë, nese jo gjithmonë, të pyesin e thonë: ‘’E pse nuk e ke bë kur ke qene në pushtet?’’ Domethënë gjithqysh gjykohesh për ato qe s’i ke bë, e jo ato që ndoshta i ke bë. Për mua kjo është gjithsesi edhe në rregull, edhe e pranueshme, sepse pa kritikë e diskutime nuk ka ecje përpara.
Ka kohë që flas për transport publik falas në qarqe të ndryshme që lidhen me qeverisjen komunale në Prishtinë. Kam insistuar në zhvillimin e kësaj politike që moti, por për me pasë mundësi me folë për diçka të tillë, është dashtë me e trajtu gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhej ndërmarrja publike “Trafiku Urban” para vitit 2016.
Pra, shkaku i gjendjes në të cilën ishte “Trafiku Urban”, nuk kishte kuptim në vitin 2014 me folë për transport publik falas. Dukej ëndërr, sikurse dukej ëndërr edhe plani që “Trafiku Urban” do të rimëkëmbej, e transporti publik do të jetë shtylla e lëvizjes në Prishtinë, plan ky të cilin ia shpjegoja punëtoreve të drejtorive të ndryshme në Komunë, e gjithashtu edhe punëtorëve të “Trafikut Urban”. Keni parasysh që punëtorëve të “Trafikut Urban” në Janar të vitit 2014, kur u emërova nenkryetar i Prishtinës, ndërmarrja ua kishte borxh më shumë se 1 vit rroga. Ata operonin me vetëm 6 autobusë, ndërsa kapacitetet infrastrukturore të ndërmarrjes ishin degraduar deri në pikën e shkatërrimit.
Gjatë periudhës 2014 - 2017, sa kam qenë nënkryetar i Komunës së Prishtines, njëra ndër punët me te cilat jam ngarkuar, kryesisht per shkak te insistimit tim, ka qenë pikërisht rimëkëmbja e ndërmarrjeve publike, me fokus veçanërisht në transformimin e NPL “Trafiku Urban”.
Duke u fokusu në punë konkrete, për periudhën kohore (Prill 2014 – Dhjetor 2016) kemi arritë synimin tonë me transformu komplet ndërmarrjen duke i ble 51 autobusë. E renovuam tërësisht garazhën dhe objektet përcjellëse të “Trafikut Urban”, krijuam kushtet optimale të punës, paguam borxhet, stabilizuam pagat, dhe pajisëm “Trafikun Urban” me dije e kapacitete teknike për operim. Sa për informacion, hera e fundit që u investua në këtë ndërmarrje para vitit 2016 ishte në vitin 1987. Paramendoni, 1 9 8 7.
Duke e kuptu që transporti publik nuk do t'u mbijetojë dy presioneve të mëdha në trafik, atij të parkingut pa pagese në krejt hapësirat e qytetit dhe taksive ilegalë, u dakorduam me ekipin në Komunë që të trajtojmë temën e kërkesës per parkingje. Kudo që udhëtoja, parkingu në hapësira publike ishte me pagesë, dhe në zonat e qendrës ishte i kushtueshëm. Kështu e mora modelin e kryeqyteteve te rajonit dhe filluam ndërtimin e ndërmarrjes për menaxhimin e parkingjeve në hapësirat publike që janë pronë komunale. Kam qenë personalisht përgjegjes në gjithë procesin e themelimint dhe krijimin e planit të punës dhe rregulloret për ndërmarrjen “Prishtina Parking”.
Edhe për “Trafikun Urban”, por edhe për “Prishtina Parking” kam punu prej prillit të vitit 2014, deri ne ditën kur kam perfundu mandatin, në qershor të vitit 2017. Dhe për këtë periudhë jam edhe përgjegjës edhe krenar. Më janë dashur për te dyjat, dz vjet me e bindë qeverinë e asaj kohe në krye me LDK / PDK për me i aprovu edhe kredinë për “Trafik Urban”, por edhe të drejtën për themelimin e Ndërmarrjes “Prishtina Parking”. Këto dyja janë shtyllat e para te domosdoshme dhe pa të cilat nuk mundet me u paramendu transporti publik dhe menaxhimi i tij në një qytet.
E me këto dyja bëhet edhe hapi tjetër i madh e i cili është:
TRANSPORTI PUBLIK FALAS në Prishtinë.
Për me lehtu dhe ndihmu ende zhvillimin e qytetit tim të zemrës, kur u zgjodha deputet në vitin 2017, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ia caktova vetes qellimin kryesor:
Të avokoj e të punoj më së shumti me politikat të cilat gati 20 vjet kanë qenë kryesisht bllokuese për qytetin e Prishtinës dhe jam më se i lumtur që kam arritë me i shty përpara shumë gjëra, ku ndër të tjerat vlen të ceken këto tri si më poshtë:
- Kërkesen dhe kuzhtëzimin Qeverisë për Ligjin e Kryeqytetit për Prishtinën;
- Kthimin e Pallatit të Rinisë qytetarëve të Prishtinës (ka qenë nën menaxhim të AKP-së);
- Kthimin e Tulltores (Cigllanës) nën pronësi te Komunës së Prishtinës.
Krejt këto, për 18 muaj mandat si deputet i kam shty përpara, dhe pa ndihmën e kolegëve të PSD-së, asnjëra nuk do të bëhej.
E krejt këtë hyrje e historik e bana për me shpjegu pak të kalumen, edhe me i dhanë pak kontekst propozimit tim per TRANSPORTI PUBLIK FALAS në Prishtinë.
Andaj, duke marrë parasysh që kohëve te fundit është diskutu shumë per transportin dhe lirimin e disa kategorive, më duhet të sygjeroj këtu publikisht disa hapa konkretë se si mund të realizohet projekti i TRANSPORTI PUBLIK FALAS për qytetin tonë:
- Flota e autobusëve të TRAFIKUT URBAN duhet të rritet edhe per 40 autobusë të tjerë, ndërsa t’u jepet mundesia operatorëve privatë për blerjen e 90 autobusëve të tjerë. Në këtë mënyrë finalizohet flota e nevojshme per mbulimin me linja te trafikut urban ne çdo lagje të qytetit tonë. Kjo është tash e bëshme, s’ka asnjë pengesë.
- Operatorët Privatë të futen në kontratë sikurse TRAFIKU URBAN, dhe të paguhen për kilometra të kaluara. Kontratat për ta të jenë afatgjata dhe kështu të kushtëzohen me plotësim të kushteve duke investuar në autobusë të standardeve më të fundit europiane, gjithashtu dhe të integrohen nën ombrellën e NPL “Trafiku Urban”.
- “Trafiku Urban” të bëhet ndërmarrja e cila menaxhon me krejt transportin publik në Komunën e Prishtinës dhe e njëjta të jetë përgjegjëse për pjesën operative dhe funksionimin e një transporti urban të rregullt, të integruar, të qasshëm, të lehtë për përdorim, dhe me prioritet në komunikacion.
- Shpërndarjen e menaxhimit të parkingjeve në hapësirat publike në të gjitha lagjet e Prishtinës, pa përjashtim e pa laura (rampa), por me kosto te përballueshme për banorët rezidentë, dhe përfundimisht kapacitetet e Prishtina Parking të zgjerohen në gjithë qytetin e Prishtinës.
- Vendosja e çmimeve preferenciale për banorë për veturën e parë - ndërsa rritje progresive për veturën e dytë dhe të tretë.
- Të zhvillohen - ndërtohen pesë apo gjashtë hapësira të mëdha parkingu (shih Planin e Mobilitetit për detaje) në hyrje të qytetit prej drejtimeve kryesore dhe pastaj të lidhet pagesa e parkingut me transport publik falas. Këto hapësira të shndërrohen në terminale të Transportit Publik.
- Me të hyrat nga “Prishtina Parking” (këto të hyra nuk janë të vogla dhe janë gjithashtu të kalkuluara deri në detaje dhe në dispozicion për qeverisjen komunale në arkivat e komunës) të paguhet kosto e transportit publik, pjesa e shtesës që mund të nevojitet mund të mbushet nga të hyrat që mund të gjenerohen nga disa burime tjera të ndërlidhura me transport dhe hapësira publike, e pse jo edhe me subvencione, meqë kostoja e mirëmbajtjes së infrastrukturës, uzurpimit të hapësirave e ndotjes, është shumë më e madhe se kostoja që do t’i vihej komunës pasi t’i ketë harxhuar të hyrat nga parkingu, dhe të tjera.
- Të vazhdohet me investime në zhvillimin e korsive të veçanta për autobusë dhe bicikleta.
Krejt këto mund të bëhen për 18-24 muaj, dhe në fund të mandatit sigurohesh për menaxhim të kërkesës për parkingje, transport publik falas, cilësi në shërbim, shtigje ciklistash, hapësira të reja për ecje, dhe qytet më të gjelbër.
Profiti nuk duhet me nënshtru demokracinë dhe cilesinë e jetës. Në fakt, duhet të ndodhë krejtësisht e kundërta, e rruga përpara, është në iniciativa e projekte të gjelbra e dixhitale.