Transparenca buxhetore e komunave: PDK e para në vlerësim, krenohet Memli Krasniqi
Indeksi i Transparencës Buxhetore i Komunave në Kosovë për vitin 2022, i publikuar nga instituti GAP, ka treguar një rritje të niveleve të transparencës buxhetore të komunave në krahasim me vitet e mëparshme. Sipas të dhënave të indeksit, mesatarja e pikëve të arritura nga komunat për vitin 2022 është 62.8 pikë, një ngritje e ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar, ku mesatarja ishte 53.1 pikë. Katër nga tetë komunat që udhëhiqen nga PDK-ja kanë arritur të renditen në listën e nëntë komunave më transparente me një vlerësim maksimal prej 100 pikësh. Gjithashtu, dy komuna të tjera që udhëhiqen nga AAK dhe një nga LDK janë vlerësuar me pikët maksimale.
Instituti GAP ka publikuar Indeksin e Transparencës Buxhetore të Komunave për vitin 2022. Sipas raportit, rezulton se në përgjithësi komunat kanë shënuar përmirësim sa i përket transparencës buxhetore të komunave në Kosovë.
Kjo është e reflektuar në faktin se 22 komuna, ose 58 për qind e të gjitha komunave, kanë arritur ose tejkaluar nivelin mesatar të pikëve të indeksit të transparencës buxhetore, thekson raportit.
“Transparenca buxhetore e komunave në vitin 2022 është në një nivel më të lartë se në vitet e kaluara. Përderisa në vitin 2021 mesatarja e pikëve ishte 53.1 pikë, në indeksin e vitit 2022 kjo mesatare shkon në 62.8 pikë. Gjatë vitit 2022, gjithsej 22 komuna (58 %) e kanë kaluar nivelin mesatar të pikëve të indeksit”, - thuhet në raport.
Drenasi, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci dhe Skënderaj janë komunat që kanë arritur pikët maksimale (100) për vitin 2022, sa i përket transparencës buxhetorepasi kanë vënë në dispozicion të gjitha dokumentet buxhetore në formate të qasshme si 'Excel' dhe 'Word'.
“Maksimumin e pikëve të indeksit prej 100 pikë për vitin 2022 e kanë arritur shtatë komuna: Drenasi, Klina, Lipjani, Mitrovica e Jugut, Prizreni, Rahoveci dhe Skënderaj. Këto shtatë komuna kanë publikuar të gjitha dokumentet buxhetore në formatin ‘Excel’ ose ‘Word’, me përjashtim të dokumenteve me përmbajtje tekstuale që janë publikuar edhe në formate tjera si ‘PDF’ apo ‘dokument i skanuar’”, - thekson raporti.
Përveç këtyre, komuna të tjera si Hani i Elezit dhe Vushtrria kanë demonstruar një transparencë të lartë buxhetore, por nuk kanë marrë pikët maksimale për shkak të formatit të disa dokumenteve.
Komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit nuk kanë arritur të përmbushin kushtet minimale për transparencë buxhetore duke u vlerësuar me zero pikë.

Krasniqi ‘krenohet’ me komunat e udhëhequra nga PDK
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shpërndarë Indeksin e Transparencës së Buxhetit Komunal për vitin 2022 të institutit GAP, ku komunat e udhëhequra nga PDK-ja kanë shënuar rezultate të larta.
Krasniqi, në postimin e tij në Facebook, ka publikuar pasqyrën e plotë të raportit për vlerësimin e transparencës së buxhetit në komuna të Institutit GAP, ku gjashtë nga tetë komunat nën udhëheqjen e PDK-së janë renditur në krye të tabelës për vitin 2022 sa i përket transparencës.
Kjo nga Krasniqi është konsideruar si një arritje e rëndësishme, duke shkruar më tej se “transparenca dhe llogaridhënia” janë “mënyra e vetme përpara”.