Trajtimi i qenve endacak, Kurti tregon se çka përcaktohet në Udhëzimin Administrativ
Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur se ministri i Bujqësisë, Faton Peci me Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike ka vendosur bazën ligjore për trajtimin e qenve endacakë në tërë territorin e vendit.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ky udhëzim administrativ përcakton kushtet dhe kërkesat që duhet të plotësohen nga strehimoret e kafshëve shoqëruese për të ofruar trajtimin e duhur për qentë dhe macet nën përgjegjësinë e tyre.
“Me Udhëzimin Administrativ për Kushtet dhe Kërkesat Teknike që duhet plotësuar nga Strehimoret e Kafshëve Shoqëruese, të nënshkruar sot nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vendoset themeli i bazës ligjore për trajtimin e qenve endacakë nga secila Komunë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kështu përcaktohen qartazi kushtet në të cilat do të trajtohen qentë dhe macet; ambientet e ndara për çdo fazë, të përshtatshme me nivel të lartë të higjienës si dhe veprimet e sjelljet ndaj qenve endacak që nga momenti i kapjes, izolimit, trajtimit, kastrimit, sterilizimit, fazes post-operative, socializimit, adoptimit dhe lëshimit.” – ka shkruar Kurti.
