Tragjedia në Bon Vivant e vrasja në Klinë: Dy të dyshuarit ende në arrati - NACIONALE

Tragjedia në Bon Vivant e vrasja në Klinë: Dy të dyshuarit ende në arrati

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kosova është tronditur ditëve të fundit nga vrasje e tragjedi që kanë ndodhur nëpër qytete të ndryshme. Pas tragjedisë në Bon Vivant ku u vra një person e u lënduan dhjetëra të tjerë, dje në pikë të ditës, midis qytetit të Klinës, u vra një person.

E përbashkëta e këtyre dy ngjarjeve të tmerrshme është se sikur për rastin në Bon Vivant ashtu edhe për atë në Klinë, dy nga të dyshuarit kryesorë janë në arrati.

Për tragjedinë në lokalin e famshëm të Prishtinës është ende në arrati Dukagjin Nikolla i njohur me nofkën “Duka”. Kurse, për vrasjen në Klinë është Tush Frroku.

Përderisa vrasja në Bon Vivant ndodhi si pasojë e një problemi që ndodhi midis dy grupeve, për vrasjen në Klinë u raportua se deri tek vrasja erdhi si pasojë e disa problemeve familjare. Si viktima ashtu edhe dorasi ishin mërgimtarë.

Kush është “Duka”?

Dukagjin Nikollaj, është i kërkuar nga FBI i dsyshuar si pjesë e bandës “Krasniqi Organization”.

I njejti ishte shok me Kastrio Ramadanin, i cili mbeti i vrarë të premten në Bon Vivant.

Në Facebook, Ramadani ka disa fotografi së bashku me tashmë të kërkuarin edhe për tragjedinë e mbrëmshme.

“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhej në raportin e Policisë.

Që nga ajo mbrëmje, asgjë nuk dihet për “Dukën”. Policia e Kosovës nuk ka publikuar ndonjë thirrje siç bën rëndom për të kërkuar ndihmë nga qytetarët nëse e shohin një të dyshuar për vepra të rënda penale.

Sipas pamjeve që u publikuan ditëve të fundit nga mediat, shihet se sherri në Bon Vivant nisi pikërisht nga Dukagjin Nikollaj dhe Andi Pajaziti. Ata u përleshën mes vete, ku ndërhyri më pas Kastriot Ramadani duke e goditur me shishe qelqi Pajazitin. Ky i fundit shkrepi armën dhe e la të vrarë Ramadanin. Armën e shkrepi edhe Nikollaj dhe pjesëtarë të tjerë të grupit.

Vrasja në Klinë

Tush Frroku gjatë ditës së djeshme, në mes të Klinës, shtiu disa herë me armë në drejtim të Anton Prelës. Të dy raportohet se kanë lidhje familjare, dhe jetojnë në vende të Evropës.

Sipas raportimit të Sinjalit, Frroku pasi e la fillimisht të plagosur Prelën, u largua nga vendi i ngjarjes, e grabiti një veturë me armë dhe iku nga aty. Jozyrtarisht është raportuar se i dyshuari veturën e grabitur e ka lënë në afërsi të shtëpisë së tij, dhe më pas ka ikur sërish.

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e tij në rrjete sociale, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët.

“Personi i kërkuar është: - TUSH (Nue) FRROKU i lindur me 25.06.1975 në fshati Kosh-Istog. I dyshuari është i kërkuar për veprën penale: - “Vrasje” Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Prokuroria në anën tjetër ka autorizuar të gjitha pikat kufitare për vëmendje të shtuar dhe kontrolle, në mënyrë që t’i pamundësohet të dyshuarit largimi nga vendi.

Lajme të ngjashme