Toka, shtëpi e lokale: Pasuria e majme e udhëheqësve të Bankës Qendrore - NACIONALE

Toka, shtëpi e lokale: Pasuria e majme e udhëheqësve të Bankës Qendrore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë në krye të institucionit kryesor financiar në vend. E edhe vetë udhëheqësit e Bankës Qendrore të Kosovës po del se nuk i kanë fort keq punët me para.

Anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës në deklarimin e pasurisë për vitin 2022, kanë deklaruar toka, shtëpi, banesa, lokale e para nëpër xhirollogari.

Më i pasuri duket të jetë edhe u.d guvernatori i BQK-së, Bashkim Nurboja. Ky i fundit ka deklaruar tokë në vlerë 55 mijë euro të cilën ka thënë se e ka blerë me mjete vetanake. Pastaj një shtëpi me truall në vlerë 213 mijë euro të dhuruar nga prindërit.

Nurboja posedon edhe një lokal në vlerë 50 mijë euro gjithashtu të blerë me paratë e veta, dhe një shtëpi tjetër të ndërtuar me mjete vetanake në vlerë 80 mijë euro.

Nurboja që tash e disa javë po e ushtron detyrën e guvernatorit të BQK-së pas një situate kaotike të krijuar me konkursin e guvernatorit të ri, vozitë veturë Volksëagen në vlerë prej 9 mijë eurove.

Ai i posedon në bankë mbi 8 mijë euro të kursyera, kurse 500 të tjera i ka deklaruar në emër të bashkëshortit. 1 mijë e 781 euro i ka deklaruar se i kanë në bankë si kursime të përbashkëta.

Nurboja ka qenë kandidat për kryetar të Pejës dhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ishte votuar në Kuvendin e Kosovës për anëtar bordi në BQK, çka shkaktoi reagime lidhur me kapjen e institucioneve nga pushteti.

Një tjetër ish-kandidat për deputet nga VV-ja që u rehatua në BQK është edhe Nexhat Kryeziu. Edhe ky ka të ardhura mjaft të majme.

Në deklarimin e pasurisë ai ka thënë se ka banesë në vlerë 48 mijë euro të blerë me kredi. Një shtëpi pastaj në vlerë 45 mijë euro të ndërtuar me kursimet nga rrogat. Gjiashtu edhe ara dhe male si trashëgimi nga familja.

Kryeziu vozitë veturë të tipit Mercedes në vlerë 15 mijë euro. Kurse, një veturë tjetër e tipit BMË është e fëmijëve e cila ka vlerë prej 13 mijë e 800 eurosh.

Në dy banka të ndryshme të Kosovës, Kryeziu i ka deklaruar të kursyera mbi 8 mijë euro. Ai aktualisht është anëtar i bordit dhe zv/guvernator për mbikëqyrje financiare.

E përveç Kryeziut e Nurbojës me lidhje publike me Vetëvendosjen, partia në pushtet e votoi me shumicë që anëtare e bordit në BQK të bëhet edhe Nora Latifi-Jashari.

Kjo e fundit ka deklaruar një banesë në vlerë 70 mijë euro të trashëguar në emër të bashkëshortit. Një tjetër banesë të përbashkët në shumën hiç më pak se 203 mijë euro. Dhe një tejtër banesë në vlerë 28 mijë e 500 euro si dhuratë nga prindërit.

Latifi-Jashari e ka deklaruar një veturë të tipit Toyota në emër të bashkëshortit, e cila ka vlerë 34 mijë e 500 euro.

Në bankat vendore ajo ka deklaruar se ka kursyer 2 mijë e 657 euro, kurse bashkëshorti i saj pak më shumë se 3 mjië të tjera.

Të tre këta anëtarë janë votuar nga deputetët me shumicë të VV-së në Kuvendin e Kosovës. Pasi guvernatorit Fehmi Mehmeti i skadoi mandati, gjithashtu edhe kryetarit të Bordit, Flamur Mrasori, atëherë të gjitha kompetencat i morën këta tre anëtarë.

Kjo nxiti reagime të shumëta sidomos nga partitë në opozitë, që akuzuan Vetëvendosjen për kapjen masive të Bankës Qendrore të Kosovës.

Aktualisht në këtë fazë që jemi nuk dihet nëse është hapur konkursi i ri për guvernator të BQK-së. Megjithatë, deri atëherë këtë pozitë do ta ushtrojë ish-zyrtari i VV-së, Bashkim Nurboja që ka qenë kandidat për kryetar të Pejës e kandidat për deputet.

Lajme të ngjashme