Tmerruese: Trump sulmon dhe kërcënon ish prokurorin e Speciales që ndiqte Thaçin - NACIONALE

Tmerruese: Trump sulmon dhe kërcënon ish prokurorin e Speciales që ndiqte Thaçin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish presidenti amerikan Donald Trump ka bërë sulme të rënda ndaj Jack Smithit, ish kryeprokurorit të Gjykatës Speciale i emëruar së fundi si këshilltar special që do të merret me rastin e tij. Cilat ishin këto sulme?

Ky zhvillim që ndodhi të premten e kaluar ishte dramatik edhe për Kosovën dhe paevitueshëm do të lë pasoja edhe në mënyrën se si mund të zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Por, Smith tashmë do të merret me një rast potencialisht edhe më të madh që mund ta fus në burg hiç më pak se ish presidentin (dhe nëse bëhet sërish, presidentin e ri) amerikan, Donald Trump.

Smith do të mbikëqyr hetimet kriminale mbi mbajtjen e dokumenteve të klasifikuar të ish presidentit Trump në resortin e tij privat në Mar-a-Lago, por edhe për rastin e përfshirjes së Trumpit në kryengritjen e 6 janarit 2021 në Kapitol.

Trump tërbohet

E presidenti amerikan Donald Trump nuk ka qëndruar i heshtur mbi këtë zhvillim. Ai ka bërë postime mjaft të ashpra dhe madje edhe e ka etiketuar çuditshëm Smithin.

“Sondazhet flasin fort, veçanërisht pas njoftimit të së enjtes (shpalljes së kandidaturës), prandaj edhe emërimi i një Prokurori radikal të majtë, që është krejtësisht i kontrolluar nga Presidenti Obama dhe ish Prokurori Gjeneral i tij Erik Holder. Kjo s’është drejtësi, kjo është një tjetër gjueti shtrigash, dhe bile shumë e rrezikshme! Kurrqysh nuk duhet lejuar që ky mashtrim të ecë përpara!”- u shpreh Trump.

Në fakt, nuk ka asnjë fakt që lidh Jack Smithin me majtizmin ekstrem e as që thotë se ai është i kontrolluar nga ish presidenti amerikan Barack Obama.

Por, Trump shkoi edhe më larg duke i inkurajuar republikanët që ta luftonin vendimin për emërimin e Smithit që për mendimin e tij ishte “tmerrues”.

E, atij i erdhi në ndihmë për të sulmuar Smithin dhe punën që do të bëjë edhe i biri i tij, Eriku.

“Interesant që dy ditë pasi babai im njoftoi se do të garojë për president, dhe një ditë pasi Kongresi nis hetimet ndaj korrupsionit të familjes Biden, Bideni (kundër-kandidati i mundshëm) njofton këshilltarin special për ta përndjekur atë. Ky është komunizëm. Por, jam i sigurt që s’ishte e planifikuar... korrupsioni politik i amerikës në më të mirën e tij!” – shkroi Eric Trump në llogarinë e tij në njëjtin rrjet social.

Në anën tjetër, ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta ka komentuar reagimet e Trumpit duke thënë se “ai operon përmes kaosit dhe shkatërrimit... nuk ka asnjë lloj argumenti sa i përket pafajësisë së tij, sa i përket akuzave që po hetohen; ai po akuzon këdo që e heton se është politik... Presidenti Trump duhet të mbahet përgjegjës për gjërat që i ka bërë...”

Lajme të ngjashme