Tik-taku i hapjes së Urës së Ibrit, Qeveria fton serbët për t'u informuar për “përfitimet e hapjes” së urës - NACIONALE

Tik-taku i hapjes së Urës së Ibrit, Qeveria fton serbët për t'u informuar për “përfitimet e hapjes” së urës

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Është çështje e mbyllur, qysh më 2016”.

Kështu u tha gazetarëve prerazi e shkurt, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, disa minuta pasi përfundoi protesta serbe matanë Ibrit kundër hapjes së Urës së Ibrit.

Një tubim prej disa qindra serbëve u zhvillua rreth një orë mëngjesin e së mërkurës në Mitrovicë të Veriut me thirrje ndaj QUINT dhe KFOR-it të mos lejojnë hapjen e Urës ës Ibrit.

KFOR-i dhe QUINT-i e kanë kundërshtuar paekuivoke hapjen e urës tash për tash, ndërsa kanë kërkuar adresimin e saj në dialogun e Brukselit, për çka sërish Sveçla sot u shpreh që s’bëhet fjalë.

Inspektimet për qëndrueshmërinë e saj teknike e infrastrukturore veç kanë nisur, ndërsa pritet që edhe kamionë me ngarkesa peshe të caktuara të testojnë urën në shpejtësi 40 km/h.

Krejt ky proces vlerësimi teknik është paraparë të zgjasë shtatë ditë.

Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Nuk është çështja e dialogut fare. Është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, tha Xhelal Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, serbëve iu drejtua me kërkesën që të marrin pjesë në takimin e nesërm “njoftues...për përfitimet mbi hapjen e Urës së Ibrit”; duke i qëndruar për punë të kryer hapjes së saj.

I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”, shkroi ai.

Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, vazhdoi ai.

Në atë takim, me ç’është lajmëruar nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, nga 10 minutë do të ketë adresim nga Ministri, Elbert Krasniqi, kryetari i komunës, Erden Atiq, Zëvendës Drejtori i Policisë, Veton Elshani dhe një përfaqësuese e Xhelal Sveçlës nga Ministria e Brendshme.

Ftesë për takim me qytetar, me temën ‘Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile’. Të ftuar shoqëria civile, mediat lokale, aktivistë dhe të gjitha grupet e interesit”, thuhet në njoftim.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kërkoi pjesëmarrjen e serbëve që të dëgjohen shqetësimet e tyre, që, sipas tij, edhe do të adresohen.

Takimi do të mbahet për me diskutu situatën, se cilat janë brengat për hapjen e urës. Sigurisht që ne do t’i adresojmë të gjitha brengat. Unë pres që të marrin pjesë qytetarët. Besoj që është momentum shumë i mirë që të vijnë qytetarët, edhe ata që kanë protestu dhe të diskutojmë brengat që i kanë”.

Pres që të ketë pjesëmarrje dhe interesim për takimin e nesërm. Nesër mund t’i përgjigjemi për secilën brengë që e kanë për situatën e sigurisë dhe raportet ndëretnike”, ka thënë ai.

Protesta e sotme nga serbët

Disa qindra serbë janë tubuar matanë Urës së Ibrit në anën veriore të Mitrovicës për të protestuar kundër hapjes së urës që ndan qytetin etnikisht në dy.

Kjo në dritën e njoftimit për fakt të kryer nga ana e qeverisë kosovare se ura do të hapet dita-ditës derisa të kryhet vlerësimi teknik-infrastrukturor i saj.

Protestuesit mbanin parulla si “Nëse Kurti e hap Urën, KFOR-it dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE dhe ShBA shkruajnë deklarata, Kurti po na dëbon”, etj.

QUINT-i dhe KFOR-i janë deklaruar rreptazi se nuk mbështesin ndryshim të statusit të Urës së Ibrit tash për tash, ndërsa janë ashpërsuar edhe tonet për “prani të përhershme, fikse” në urë.

Lajme të ngjashme