Thyerja e status quo-së? Mbrojtja e dytë që ambasadori amerikan i bëri Kurtit - NACIONALE

Thyerja e status quo-së? Mbrojtja e dytë që ambasadori amerikan i bëri Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

2 gushti në Kosovë u pushtua nga disa fjalë të thëna nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, e të cilat tingëllonin si të ishin porositur nga kryeministri Kurti për favore në politikën e brendshme. Pse përnjëherë, ambasadori amerikan po i mban anën Kurtit?

Se Kurti po koordinohej për veprimet e tij që i cilësonte si të dëmshme (pretendimet për të cilat nuk jepte asnjë provë) për popullin serb kishte pohuar vazhdimisht presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për shkak se këto veprime i shihte si nxitëse të destabilizimit, dhe Kurtin si politikan destuktiv, Vuçiqi akuzonte faktorët ndërkombëtarë se po e mbështesnin një gjë të tillë.

Por, eksponentët e partive opozitare në Kosovë dhe një pjesë e analistëve politikë, nuk janë bindur asnjëherë, duke i konsideruar raportet e Kurtit me partnerët ndërkombëtarë, dhe në veçanti ato me Amerikën si jo të mira.

Sidoqoftë, sa i përket vendimeve për reciprocitetin e targave dhe letërnjoftimeve, foli vetë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, që u shpreh si vijon:

“ShBA-ja mirëpret vendimin nga liderët e Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e qarkullimit, të dyja masa këto që janë plotësisht në linjë me marrëveshjet e Brukselit dhe që ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.”

Përkrahësit dhe zyrtarët e partisë në pushtet menjëherë i cilësuan si fitore këto fjalë të ambasadorit, derisa në ‘kampin’ tjetër përmendet si arsyetim tërheqja e Qeverisë nga zbatimi – një kërkesë kjo e ambasadorit amerikan që u plotësua nga Kurti.

I pyetur nga Nacionalja se si e shihte situatën pas deklaratës së ambasadorit amerikan, deputeti i PDK-së me emrin Rashit Qalaj ishte shprehur si vijon:

“Unë personalisht mendoj që nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm, në momentin kur është marrë vendimi.”

Nëse kishte ose jo koordinim me ShBA-të, kjo nuk dihet. Por, dihet që ambasadori amerikan i mbajti anën Kurtit në debatin politik dhe madje dihet edhe që kjo nuk është hera e parë.

Kurti ishte mbrojtur nga ambasadori amerikan edhe për sulmet opozitare mbi vizitën e tij të pafrytshme në Amerikë.

Atëbotë, Kurti po akuzohej se nuk kishte arritur asnjë vizitë të nivelit të lartë gjatë asaj vizite. Dhe mes shumë gjërash të ndryshme që përmendeshin, ishte edhe mungesa e një vizite në Shtëpinë e Bardhë.

Hovenier ishte shprehur se në fakt, teknikisht, Kurti kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë pasi edhe korridori ku ishte pritur nga Këshilltari për Siguri Kombëtare Jake Sullivan ishte pjesë e kompleksit.

Bashkë kundër status quo-së?

Nëse mbrojtja e dytë që ambasadori amerikan i bëri Kurtit do të “ndërrojë lojën” politike në Kosovë, mbetet të shihet.

Sidoqoftë, gjatë asaj dite një reagim interesant e shprehu ish bashkëpartiaku i Kurtit, Shpend Ahmeti duke e kritikuar opozitën vendore.

“Pa komentuar efektin e vendimit të qeverisë për dokumentet dhe tabelat, është interesante që pyetja e vetme e opozitës është se a ka pasur koordinim me faktorin ndërkombëtar.

Çka është koordinimi? Kërkim leje? Aprovim? Informim?

Një gjë është e qartë, asnjëherë nuk do të ketë aprovim nga “faktori” ndërkombëtar për thyerje të “status quo”s. Prandaj nuk mund të ketë koordinim.” - u shpreh ish kryetari i Prishtinës.

Besohet që partitë opozitare e dinë se çka është “koordinimi”, duke qenë se kishin pasur pushtet për shumë kohë. Megjithatë, deri tash nuk kanë elaboruar para publikut për domethënien e kësaj fjale.

Megjithatë, një fjalë tjetër e Shpend Ahmetit mund të ketë edhe më shumë rëndësi këtu: status quo-ja. Sipas tij, “status quo”-ja po mbështetej nga Amerika.

Por, ishte Asistent-Sekretarja amerikane e Shtetit që gjatë një vizite të shkurtër në Kosovë në fillim të muajit maj, përmendi pikërisht status quo-në në raportet me Serbinë.

Ajo do të shprehej se status quo-ja ishte e paqëndrueshme dhe se i shkonte në favor vetëm Rusisë, që muaj më parë kishte nisur invazionin mbi Ukrainën.

“Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor,”kishte thënë Donfried.

Mos-vendosja e sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë, mund të ketë bërë që pozicioni i saj të shihet tashmë më qartë nga ShBA-të dhe partnerët evropianë të Kosovës.

Bashkimi Evropian ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që fqinji destruktiv i Kosovës të rreshtohet krah vendeve tjera që i kanë vënë sanksione Federatës ruse. Edhe më tej, nuk ka një vendim nga Serbia për këtë çështje.

“Me ambasadorin Hovenier kishim pajtim të plotë se status-quoja është kundër interesave afatgjata të Kosovës dhe SHBA-ve,” – kishte thënë ndërkohë Skënder Hyseni, i cili ishte ftuar në një drekë pikërisht nga ambasadori Jeff Hovenier.

Në anën tjetër, Kurti nuk ka qenë asnjëherë i dhënë pas dialogut dhe arritjes së një zgjidhjeje finale me Serbinë.

Megjithatë, zëvendësi i tij Besnik Bislimi në një paraqitje televizive për herë të parë kishte akuzuar Serbinë se donte të shtynte procesin duke nënkuptuar nevojën e Kosovës për një thyrje të status quo-së.

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-s dhe 15-s, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar ta fus në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse,”ishte shprehur ai.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar përmes z. Besnik Bislimi një udhërrëfyes me Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015, çka efektivisht shmangte precedentin e rishikimit të marrëveshjeve tjera – ashtu siç ishte premtuar nga Kurti dhe Vetëvendosje në të kaluarën.

Nëse Kosova po përdoret për të shtuar presionin ndaj Serbisë për sanksione ndaj Rusisë, mund të merret vesh jo më larg se në javët e para të qeverisë së re në Beograd. Megjithatë, status quo-ja në raportet Kosovë-Serbi do të vazhdojë të jetë nën sulm.

Por, a është Kurti – marrë parasysh qëndrimet kundërshtuese ndaj dialogut, dialogut pa kushte, marrëveshjeve që rezultonin nga dialogu – njeriu i duhur për të çarë status quo-në?

Duket se ambasadori amerikan beson që po, pas ndryshimit të shumë e shumë qëndrimeve politike të së kaluarës.

Lajme të ngjashme