Thirrjet e VV-së për ta anuluar konkursin, çfarë thonë kandidatët për Kryeprokuror? - NACIONALE

Thirrjet e VV-së për ta anuluar konkursin, çfarë thonë kandidatët për Kryeprokuror?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përderisa procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit pritet që gjatë javës të kalojë në fazën e ankesave nga kandidatët për intervistim, nga Lëvizja Vetëvendosje ka pasur thirrje që konkursi të anulohet dhe procedurat të nisin nga fillimi. Gazeta Nacionale sjell qëndrimet e kandidatëve për Kryeprokuror rreth kësaj kërkese të partisë në pushtet.

Nga intervistimet që u zhvilluan një javë më parë e u transmetuan në transmetuesin publik, kandidati më i vlerësuar për Kryeprokuror doli Blerim Isufaj. Ky i fundit me 98 pikë, nëse nuk ka ndonjë ndryshim nga ankesat e kundërkandidatave, do të shkojë për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Por, me gjithë procesin përveç kritikave nga shoqëria civile, të zëshëm kanë qenë zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes. Madje, kryetari i Komisionit për Legjislacion,
Adnan Rrustemi ka bërë thirrje që procesi të anulohet dhe të kthehet në pikën zero.

“Konkursi për zgjedhjen e Kryeprokurorit duhet të anulohet e të rishpallet, për shkak të shkeljeve, mungesës së transparencës dhe mosgarantimit të paanshmërisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon një kryeprokuror me integritet të lartë moral e profesional, që së pari zgjidhet në mënyrë të rregullt, me vlerësim objektiv e transparent. Procesi që u zhvillua në KPK rezulton qartazi në shkelje procedurale e mungesë objektiviteti e transparence. Një gjë të tillë e thotë edhe koalicioni i organizatave të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë, të cilat kanë kërkuar me të drejtë anulimin.”, ka shkruar Rrustemi.


Për këtë proces ishte interesuar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci i cili kishte kërkuar që kandidatët të përgjigjen për Vettingun.

Çfarë thonë kandidatët për Kryeprokuror?

Dikush nuk e ka hapur telefonin. Dikush tjetër nuk ka pranuar fare të komentojë. Njëri ka thënë që nuk merret fare me këto kërkesa, e tjetri e ka përkrahur kërkesën
që konkursi të anulohet. Por t’i shkojmë me radhë.

Kandidati që kryeson garën për Kryeprokuror, Blerim Isufaj nuk ka komentuar kërkesën e Vetëvendosjes. Madje ka thënë se nuk merret fare me këto tema.

“Nuk i komentoj. Unë jam kandidat, për këto drejtohuni te Këshilli. Nuk merrna fare me këto”, ka thënë Isufaj për gazetën Nacionale.

Armend Hamiti një tjetër kandidat për Kryeprokuror e ka përkrahur kërkesën e Vetëvendosjes. Hamiti ka bërë të ditur për Nacionalen se do ta shfrytëzojë të
drejtën e ankesës ndaj poentimit nga komisioni vlerësues.

“Unë jam duke e shikuar vlerësimin që shihet se nuk është real, edhe do të bëj kundërshtim në rrugën ligjore. Kur e paraqes kundërshtimin tim e paraqes çka ka shkelje, dhe njëra nga mundësitë parasheh që me u anulu konkursi. Unë do t’i paraqes këto e pastaj organet tona do të vlerësojnë drejt”, ka thënë Armend Hamiti.

Kandidati i dytë më i vlerësuar, Shqipdon Fazliu përkundër se e ka hapur telefonin, ka thënë se nuk dëshiron të komentoj fare për këtë temë. Kurse dy kandidatët e tjerë për Kryeprokuror të Shtetit, Kujtim Munishi dhe Lulzim Sylejmani, nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial ka kundërshtuar kërkesën që konkursi të anulohet. KPK-ja ka kritikuar shoqërinë civile, e në anën tjetër ka kërkuar nga Vetëvendosje të mos ndërhyjë në proces, pasi konkursi për Kryeprokurorin ka qenë transparent dhe i bazuar në meritokraci. “Prandaj, kjo është përtej çdo orvatjeje për diskreditim dhe denigrim me çdo kusht të këtij procesi nga ana e disa qarqeve, të cilat nuk ia duan të mirën jo vetëm sistemit prokurorial, por tërë sistemit të drejtësisë, kur dihet se tërë hapat, nga fillimi e deri tek kjo fazë e intervistimit, janë ndërmarrë në plotëni me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur gjithmonë sistemin prokurorial”, thuhej në reagimin e KPK-së.

VV-ja synon zgjedhjen e Kryeprokurorit me ligjin e ri

Në Komisionin për Legjislacion aktualisht është në trajtim e sipër Ligji i ri për Këshillin Prokurorial. Vetëm pak ditë më parë, Komisioni i Venecias ka thënë rekomandim pozitiv për këtë ligj, duke vlerësuar se është në pajtim me standardet ndërkombëtare. Gazeta Nacionale ka mësuar se Vetëvendosje po synon që nëse konkursi anulohet, atëherë Kryeprokurori të zgjedhet me ligjin e ri.

Sipas këtij ligji, parashihet ulja e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në këtë përbërje të re, tre anëtarë do të jenë prokurorë, tre joprokurorë (njëri i emëruar
nga Avokati i Popullit dhe dy nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash), si dhe Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare. Sidoqoftë, Komisioni i jep disa rekomandime se si të pamundësohet dominimi i Kryeprokurorit të Shtetit në Këshillin e ri.

Për këtë çështje, partitë opozitare kritikuan ashpër Vetëvendosjen.

Hajdar Beqa, anëtar dhe deputet i PDK-së në Komisionin për Legjislacion, ka thënë për gazetën Nacionale se zgjedhja e Kryeprokurorit nuk është punë e partive
politike.

“Çdo deklarim politik për zgjedhjen e Kreprokurorit është interferim, është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Është gabim shumë i madh nëse një politikan apo anëtar i Komisionit jep deklaratë të tillë. Kjo nuk na takon neve por Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe ata duhet të zgjedhin Kryeprokurorin me integritet”, ka thënë Beqa për gazetën Nacionale.

Anëtari tjetër i Komisionit për Legjislacion, deputeti nga AAK-ja, Besnik Tahiri thotë se kjo tendencë e Vetëvendosjes është për ta shtrirë ndikimin politik në sistemin prokurorial.

“Tendenca me rikthy në pikën 0 procesin legjitim në rastin e Kryeprokurorit por edhe në raste të tjera, është tendencë dhe qëllim me shtri ndikimin politik tek një institucion i pavarur. Në komisionin parlamentar jemi duke e trajtuar Ligjin për Këshillin Prokurorial, dhe unë kam një mori komentesh dhe kundërshtimesh të cilat bien ndesh me parimin e sundimit të ligjit dhe paanësisë në drejtësi, andaj unë si anëtar dhe si AAK e kundërshtojmë këtë”, ka thënë Tahiri për gazetën
Nacionale.
Si shkoi procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit?

Të premten e kaluar u zhvilluan intervistimet për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Ato u transmetuan një ditë më pas të plota në Radiotelevizionin e Kosovës. Gazeta Nacionale raportoi se kandidati më i vlerësuar doli Blerim Isufaj me 98 pikë ndërsa pas tij radhiten Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë. E më së paku pikë në këtë garë mori Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Në situatën aktuale, komisioni vlerësues ka pasur 5 ditë pune afat që t’i njoftojë edhe zyrtarisht kandidatët me poentimin. Nëse ndonjëri prej tyre janë të pakënaqur atëherë ata kanë 5 ditë tjera pune afat, që të ushtrojnë ankesë. Nëse situata nuk ndryshon, atëherë për votim në Këshillin Prokurorial shkon vetëm emri i Blerim Isufajt.

Kjo pasi sipas rregullores për zgjedhjen e Kryperokurorit, nëse një kandidat ka 3% më shumë se të tjerët, atëherë vetëm emri i të parit mund të votohet në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Blerim Isufaj duhet të marrë shumicën e votave të anëtarëve të KPK-së nga votimi i fshehtë, që të vazhdojë për dekretim tek presidentja e Kosovës.

Lajme të ngjashme