“Tezat e Beogradit”: Eksponentë të VV-së “sulmojnë” opozitën, e akuzojnë për zhurmë
Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar kritikat ndaj partive opozitare. Më saktë, eksponentë të ndryshëm të VV-së kanë kritikuar në disa fusha PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, të cilat kohëve të fundit kanë qenë aktive në thirjen e seancave të jashtëzakonshme. Pikëristh për këtë aktivitet opozitar, dy deputetë të VV-së kanë pasur qëndrime negative ndaj opozitës.
Në fakt, edhe Arbër Rexhaj, edhe Enver Haliti përdorën të njëjtin togfjalësh, duke e akuzuar opozitën për zhurmë në Kuvend. Madje, Rexhaj e harroi krejt historinë politike të VV-së, përfshirë gazin lotsjellës, molotovin e përleshjen me policinë, duke u ankuar për zhurmë.
“Nuk ka normalitet në Kuvend. Nuk dëgjoj fjalim prej opozitës që nuk ka zhurmë. Kur flas unë nuk du opozita me tensionu situatën, me pru konfront fizik. Jo tu ma blloku foltoren, jo tu ma blloku mikrofonin” – tha mbrëmë Rexhaj në RTV Dukagjini.
Ndërsa Haliti tha se opozita, përveç që po bën zhurmë, nuk po i voton ligjet bazike dhe marrëveshjes ndërkombëtare.
“Unë konsideroj që ato seanca të thirrura nga ana e pozitës janë vetëm për të krijuar zhurmë për shkak se nuk prodhojnë asgjë. Derisa e njëjta opozitë nuk voton ligjet bazike e nuk voton marrëveshjet ndërkombëtare që përfiton Kosova dhe qytetarët, pse ne të jemi në ato seanca kur thirren pa asnjë substancë vetëm që të hedhin kritika të pavenda dhe mundohen që të krijojnë kauza të rrejshme për qëllime elektorale ditore. Kështu që LVV-ja së bashku me partnerët e kanë parë si të paarsyeshme dhe të panevojshme që të jemi në ato seanca boshe derisa opozita është deklaruar që nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare” – ka thënë Halti në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Akuzat më të rënda ndaj opozitës i kanë pasur dy eksponentë të tjerë të VV-së, të cilët i ndërlidhen qëndimet e opozitës me qëndrimet e Serbisë.
Në këtë logjikë të çuditshme të argumentimit ishte Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së VV-së dhe aktivist i kësaj partie nga Shqipëria. Hoxha, që dikur ishte edhe këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, shkroi se opozita e kërkon “pushtetin me tezat e Beogradit”.
“Opozita në Kosovë kërkon ta marrë pushtetin në zgjedhjet e ardhshme me dy teza:
- Radoijçiçi nuk ka bërë diçka të rëndë në Banjskë.
- Sjellja e qeverisë së Kosovës në veri është si ajo e Milosheviçit.
Këto janë edhe tezat e Beogradit.
Pra, opozita e kërkon pushtetin me tezat e Beogradit” – ka shkruar Hoxha.
Ndërsa deputeti Abrashi shkoi edhe një hap më tutje, duke pretenduar se Serbia po kërkon të kthehet koha prapa. Abrashi shkroi se “ata juve po ju lypin, edhe nga OKB-ja madje”.
“ATA JUVE PO JU LYPIN, EDHE NGA OKB MADJE
Thirrja e Gjuriqit në Këshill të Sigurimit ishte thirrja e fundit e sikletit në Beograd që ekziston tash e 4 vite. Në çdo paraqitje të Serbisë ata kanë kërkuar që koha në Republikën e Kosovës të kthehet mbrapa.
Serbia, përmes Gjuriqit në OKB, bëri thirrje të hapur që të mos votohet Albin Kurti, ndërkaq Vuçiq më parë deklaronte se me kë mund të merrej vesh e më kë.
Situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e qartë dhe mirë që është kështu” – ka shkruar Abrashi.