Terri informativ për Asociacionin vazhdon: As 13 ditë pas pranimit, Qeveria nuk e tregon përmbajtjen e draftit të BE-së
Po bëhen dy javë që kur Kryeministrin Albin Kurti ka pranuar draftin e BE-së për Asociacionin dhe ende nuk dihet përmbajtja e tij. Përveç liderëve institucionalë, askush tjetër nuk e di se çka është në të vërtetë “Asociacioni modern evropian”.
Opozita, shoqëria civile dhe qytetarët vazhdojnë të jenë në terr informative për këtë çështje. Drafti që është publikuar në media është mohuar nga Qeveria se është ai i vërteti.
Kjo mungesë e transparencës po shihet si shqetësuese nga njohësit e rrethanave politike në vend dhe opozita.
Analisti Petrit Zogaj ka thënë se ajo çfarë dihet deri me tani është deklarimi i Kurit se drafti në fjalë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Janë bërë 10 ditë që kur kryeministri Kurti ka pranuar planin “modern evropian” për asociacionin e serbëve lokal në Kosovë, e askush jashtë rrethit të tij nuk e din se çka në të vërtetë është ky asociacion modern evropian. Ajo çfarë dihet është se Kurti si “njohës” i Kushtetutës ka thënë që asociacioni nuk e shkel Kushtetutën. E në anën tjetër juristja Osmani ka thënë që e ka “analizuar mirë” statutin dhe së s’është kompetente që të thotë nëse plani shkel apo jo Kushtetutën’, ka shkruar Zogaj në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, dilemat rreth drafti do të largoheshin nëse ai do të bëhej publik.
“Këto qëndrime të ndryshme të kryeministrisë e presidencës në lidhje me statutin e asociacionit do të bëheshim më të qarta sikur dokumenti të bëhej publik. Në këtë mënyrë do të kuptohet se për çka Kurti ka dhënë pëlqimin e tij të shpejt, e për çfarë arsye Osmani po kërkon që statuti të dërgohet në Kushtetuese?”, ka thënë ai.
Edhe opozita është shprehur e shqetësuar me këtë mungesë të transparencës në procesin e dialogut.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kjo nuk është demokratike.
“Terri vazhdon. Edhe kur kryeministri publikisht e pranon statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ne dhe populli jemi ende në terr. Dikur, bashkë kishim nxjerrë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, ku specifikohet qartë se Qeveria duhet të raportoj para dhe pas çdo raundi të bisedimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mirëpo Qeveria ka vendosur që të mos e respektoj këtë obligim. Qeveria ka vendosur që të na le në terr”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se ka gjasa që përmbajtjen e atij drafti e kanë parë edhe deputet e pushtetit.
“Sipas deklarimeve të deputetëve në pushtet, konstatojmë se ata i kanë parë dokumentet lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Pra, vetëm ne si opozitarë dhe populli nuk i kemi parë këto dokumente për këtë temë. Ndërkaq, më 03.11.2023 (ditën e premte), do të mbahet seanca raportuese e kryeministrit lidhur me pranimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. E, sot, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, iu kam dërguar krerëve të pushtetit një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare, përkatësisht për dokumentet e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin kryeministri tashmë veç e ka pranuar edhe publikisht”, ka shkruar Gashi, duke shpresuar se një ditë para seancës të infomrohen deputetët për ketë temë.
Qeveria demanton draftin e publikuar në media
Disa media në Prishtinë të martën kanë publikuar një draft, për të cilin kanë thënë se është ai që Qeveria e ka pranuar më 21 tetor.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës e ka demantuar në mënyrë të shpejt atë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se dokumenti në fjalë nuk është ai që është pranuar nga Qeveria e Kosovës.
“Dokumenti që është publikuar dhe që ka qarkulluar mbrëmë në disa portale dhe televizione si "draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe" absolutisht nuk përkon me propozimin Evropiano-Amerikan që i është dorëzuar kryeministrit Kurti në takimin e 21 tetorit si plan për ecjen përpara. Falënderojmë ato medie të cilat para publikimit apo shpërndarjes së këtij lajmi kanë kontaktuar Zyrën e Kryeministrit për konfirmim dhe verifikim të raportimit, duke shmangur kështu keqinformimin e mëtejmë të publikut”, ka shkruar Kryeziu.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur për përmbajtjen e draftit nuk ka pranua të flasë.
Ai ka thënë se është kërkesë e emisarëve që të mos flasim për përmbajtjen.
“Ne e respektojmë kërkesën e pesë emisarëve, derisa të na kërkohet që të mos flasim konkretisht për të. Por, më e rëndësishmeje është që emisarët kanë deklaruar që e kanë shkruar me kujdes duke pasë parasysh Kushtetutën dhe ligjin dhe se përgjigjen për çfarëdo dileme gjithnjë do ta jep Gjykata Kushtetuese. Për bindjen tonë të fuqishme, vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, nuk do të duhet asnjëherë të harrojë se sa shumë tashmë ka bërë Republika e Kosovës për serbët në Kosovë, të drejtat të cilat janë të pashembullta edhe në vet Evropën, ndërkohë që kemi dëgjuar shpesh se flitet për model evropian të zgjidhjes”, ka thënë Kurti.
Të premten do të mbahet seanca raportuese e kryeministrit Albin Kurti në Kuvend lidhur me pranimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë

