'Terri informativ' pas operimit të Presidentes: Eksponentët e tjerë të pushtetit që kanë 'lidhje' me spitalet private
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është operuar në një spital privat duke bërë që të pasojnë reagime të shumta për shpërfilljen që i bëri shëndetësisë publike. Por, eksponentët e pushtetit të ri del të mos jenë aq të largët me spitalet private.
Shëndetësia publike po rrezikohet me ikjen e vazhdueshme të mjekëve gjatë muajve të fundit. Por, shëndetësia private – e papërballueshme për pjesën më të madhe të qytetarëve – po lulëzon.
Arben Vitia
Ish ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, që për detyrë e kishte përmirësimin e shëndetësisë publike dhe për të cilën i mori mbi 100 mijë vota, po ashtu është ‘gllabëruar’ nga shëndetësia private.

Ai ka marrë një detyrë menaxheriale në spitalin “Olive”. Ndërkohë, në Qeverinë Kurti ende nuk është caktuar ministri i ri i Shëndetësisë që do të zëvendësonte të dorëhequrin Rifat Latifi.
Vitia kishte qenë një ndër figurat më të promovuara të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe afërsia e tij me Kurtin kishte bërë mjaft përshtypje. Por, ai aktualisht ushtron thjesht detyrën e kryetarit të Qendrës së Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës.
Luan Dalipi
Shef i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, po ashtu del të ketë lidhje me spitalet private.

Në klinikën Avicena ishte punësuar gruaja e tij, Eva, siç mund të evidentohet edhe në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Paga e saj vjetore ishte 14 mijë e 400 euro, ose rreth 1200 euro në muaj.
Insajderi shkruante se drejtori i Klinikës në fjalë me emrin Driton Shuki ishte arrestuar në lidhje me dyshimet e bartjes së mostrave dhe rezultateve të testeve.
“Gjatë kontrollit atij Policia e Kosovës i pati gjetur një listë me emrat e 50 qytetarëve ku figuronin edhe rezultatet e testeve për COVID-19.” – shkruante kjo gazetë.
Qëndrimet e dikurshme
Vetëvendosje si një parti e qendrës së majtë avokonte vazhdimisht për përmirësimin e shëndetësisë publike ndërkohë që akuzonte ish pushtetet se kishin forcuar klinikat dhe spitalet private që s’mund të përballoheshin nga qytetarët e tjerë të Kosovës.

Ja çka shkruante Fitore Pacolli, deputete e Vetëvendosjes, kur ish kryeministri Haradinaj kishte dërguar nënën për shërim jashtë vendit.
“Kur minsitri Vitia ka shkuar në Ministri nuk ka pasur masa rezervë. E kur nuk i ke ato rezerva nuk e di se si mund të funksionosh si shtet. Tash më kujtohet se e patëm kundërshtuar kur kryeministri Haradinaj në atë kohë e kishte dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit, dhe kjo u pat ngritë si dilemë por nuk është diskutuar shumë. Paramendo në një vend evropian kur një kryeministër e dërgon prindin e tij apo veten për shërim jashtë shtetit, e kemi edhe zotin Mustafa që kishte shkuar për shërim jashtë shtetit. Qytetarët nuk e kanë një mundësi të tillë. Ne duhet ta ndryshojmë këtë mendësi,”
Çka thotë Presidenca?
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor) pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit) i cili është realizuar me sukses.” - thuhet mes tjerash në komunikatën e Presidencës që u lëshua vetëm pas raportimit të gazetës Nacionale.
Aty shkruhet edhe se Presidentja i ka bartur përkohësisht përgjegjësitë e Presidentit të Republikës së Kosovës, kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës.
Pra, Konjufca ishte dje përkohshëm ushtrues detyre i Presidentit të Kosovës derisa qytetarët nuk ishin të njoftuar.
Pse kjo heshtje?
Presidentja Osmani nuk po kritikohet vetëm për shkak të shpërfilljes së shëndetësisë publike – çka nxiti edhe reagimin e kirurgëve në QKUK.
Ajo po kritikohet edhe për shkak të heshtjes së plotë dhe mos-informimit të publikut.
“Rrjedhimisht çështja e shëndetit të presidentes Osmani dhe ndërhyrjes kirurgjike nuk gëzon mbrojtje nga e drejta e privatësisë. Përkundrazi, kjo ndikon në funksionimin e aparatit shtetëror dhe Presidenca do duhej të njoftonte paraprakisht se ajo do t'i nënshtrohet një ndërhyrje të tillë dhe se i janë bartur përkohësisht kompetencat kryeparlamentarit Konjufca,” – i tha Nacionales juristi Durim Berisha.
Por, sipas Presidencës, e drejta e privatësisë së Presidentes është e garantuar me kushtetutë.
Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që publiku mbahet në terr informativ në lidhje me operimin e Presidentes në spitale private.
Besohet që një gjë e tillë ka të bëjë pikërisht me qëndrimet e mëhershme në lidhje me shëndetësinë publike dhe atë private.
Të gjithë raportimin LIVE nga ky rast mund ta ndiqni duke klikuar KËTU.
