Tërmeti në Turqi e Siri, Joe Biden ofron mbështetje dhe shpreh ngushëllime për viktimat - NACIONALE

Tërmeti në Turqi e Siri, Joe Biden ofron mbështetje dhe shpreh ngushëllime për viktimat

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti i ShBA-së Joe Biden, ka ofruar ngushëllimet dhe mbështetjen e tij për Turqinë e Sirinë, duke folur për herë të parë para kamerave për tërmetin shkatërrues më magnitudë 7.8 që goditi vendet në fillim të kësaj jave.

"Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për popullin e Turqisë dhe Sirisë," – është shprehur Biden duke folur me anëtarët e sindikatës DeForest në Wisconsin.

"Ne vajtojmë humbjen e kaq shumë jetëve dhe ofrojmë ngushëllimet tona më të thella,"- ka vazhduar ai, teksa ka komentuar disa nga imazhet e tmerrshme nga zonat e prekura, ku janë treguar prindërit duke nxjerrë foshnjat e tyre nga rrënojat.

Biden po ashtu ka njoftuar se ka folur me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, dhe se i ka ofruar atij ‘mbështetje të plotë” për rimëkëmbje.

Ndërkohë, lidhur me Sirinë, Biden ka thënë se ShBA po vazhdon të mbështesë partnerët humanitarë me pajisje dhe ndihma për misionet e kërkim-shpëtimit.

Ai ka shtuar se, “ShBA është donatori kryesor në të gjitha zonat e Sirisë, pavarësisht se kush e kontrollon territorin”.

“Ka të bëjë me shpëtimin e jetës njerëzore. Ne mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për të mbështetur popullin e Turqisë dhe Sirisë në këtë kohë në nevojë,”- ka përfunduar Biden.

Lajme të ngjashme