Tensionet në veri, Krasniqi: E kemi obligim t’iu mundësojmë përmbushjen e obligimeve kryetarëve të zgjedhur - NACIONALE

Tensionet në veri, Krasniqi: E kemi obligim t’iu mundësojmë përmbushjen e obligimeve kryetarëve të zgjedhur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas tensioneve në katër komunat veriore: Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq.

Ai ka shkruar për betimin e djeshëm të kryetarëve të këtyre tri komunave, duke shtuar se punën e shërbimin ata duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave, ku sot janë mbledhur qytetarë për të kundërshtuar futjen e kryetarëve të rinj në to.

‘’Pas mbajtjes së zgjedhjeve të datës 23 prill, janë mbajtur seancat konstituive në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave bashkë me shërbyesit civilë’’- shkroi Krasniqi në rrjetin social ‘’Facebook’’.

Ai gjithashtu shtoi se si institucione qendrore e kanë obligim që t’ua sigurojnë e mundësojnë përmbushjen e obligimeve kryetarëve të zgjedhur.

‘’Ata janë zotuar që do t'i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t'ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve’’- tha Krasniqi.

Sot janë dëgjuar sirena alarmi në të katër komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës. Më pas, para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq u mblodhën edhe qytetarë.

Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës dhe shok-bomba për t’i shpërndarë qytetarët që për disa orë kishin bllokuar hyrjen e objektit në Komunën e Zveçanit.

Lajme të ngjashme