Tenderë për kompani që s’i plotësojnë kushtet: Auditori gjen ‘mal’ me shkelje në ministrinë e Liburn Aliut
Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur numër të madh shkeljesh në ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu. Duke nisur nga punëtorë që nuk shkojnë në punë, e deri te dyshimet për dallavere me tenderë. Nacionale sjell detaje.
Për një tender që e kishte shpallur Ministria e Infrastrukturës rreth hartimit të projekteve të ndryshme për rrugë, kërkohej që kompania të kishte një inxhiner të diplomuar të komunikacionit me 5 vjet përvojë pune. Megjithatë, ky kusht nuk ishte përfillur nga kompania fituese, e cila e mori tenderin edhe pse nuk i plotësonte kushtet sipas kërkesës.
Kjo është vetëm një prej të gjeturave nga Zyra Kombëtare e Auditimit në ministrinë që drejtohet nga Liburn Aliu. Sipas Auditorit, kompania fituese nuk ofroi asnjë fakt se posedon inxhinier të diplomuar me 5 vjet përvojë pune për këtë tender.
“Ministria kishte shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik përkundër që i mungonin dëshmitë të cilat vërtetojnë përvojën e punës pesë (5) vite të inxhinierit të komunikacionit (tek dëshmitë e ofruara ekzistojnë tri referenca por vetëm tek njëra prej tyre dëshmohet periudha një vjeçare e punës, ndërsa tek dy të tjerat mungon periudha kohore). Po ashtu, mungon edhe certifikata e kalibrimit nga kompania e licencuar për pajisjet e kërkuara”, thuhet në Raportin e Auditorit.
Krejt kjo shkelje ishte arsyetuar me ‘urgjencë’ nga Ministria e Infrastrukturës.
“Mos aplikimi i procedurave të duhura të prokurimit me rastin e ndryshimit të kushteve kontraktuale ka ndodhur si rezultat i anashkalimit të kontrolleve. Në rastin e shtimit të pozicioneve të reja duke e përdorur si arsye kryerjen e kësaj pune me emergjencë. Ndërsa, në rastin e rritjes së sasive ministria e vlerëson se ishte bërë një lëshim teknik gjatë hartimit të paramanës dhe se kishte konsideruar si të mjaftueshme vetëm raportin e komisionit duke mos aplikuar kërkesat e rregullores së prokurimit”, ka gjetur Auditori, raporton Nacionale.
Tjera dallavere janë gjetur nga Auditori. Njëra prej tyre përfshin tejkalimin e shumës së kontratës në disa raste të caktuara, në çmimet për njësi.
“Për kontratën publike për “Mirëmbajtjen verore dhe dimërore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) Llot 2” me çmim për njësi 123,262€, ministria me operatorin e njejtë ka aprovuar një urdhër-variacion duke ndryshuar termat dhe kushtet e kontratës. Ky ndryshim ka të bëjë me shtimin e 16 pozicioneve të reja në vlerë 73,768€ (pa e tejkaluar 10% të vlerës së kontratës bazë), për të cilat nuk ka pasur çmime të përcaktuar në kontratën fillestare”, thuhet në raport.
“Për kontratën “Mirëmbajtje verore dhe dimërore të rrugëve Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitit 2022-2023, 2023-2024 dhe 2024- 2025, Regjioni Mitrovica – Lot 2” me çmim për njësi 6,814€, apo 388,400€ për një vit, ministria kishte rritur sasinë e kontraktuar në një pozicion nga 1m² në 94,215m² (që kishte të bënte me prerjen e barit, shkurreve dhe vegjetacionit). Ky ndryshim ishte bërë duke u bazuar në raportin e një komisioni të themeluar nga Sekretari i Përgjithshëm për shqyrtimin e kërkesës së menaxherit të kontratës për rritje të sasisë së këtij pozicioni. Si rezultat i kësaj, vlera e ndryshimit të kontratës ishte 24% e çmimit fillestar të kontratës”, thuhet më tutje.
Auditori madje, ka gjetur dhjetëra raste të tjera ku punët nuk janë kryer sipas kontratës, dhe ndaj kompanive nuk është marrë asnjë masë.
Punëtorët paguhen, pa shkuar në punë
Edhe Ministria e Infrastrukturës po ballafaqohet me problemin e punëtorëve të komunitetit serb të cilët paguhen pa dalur në punë.
Në këtë ministri, janë 62 zyrtarë të tillë. Buxheti për pagat e tyre ishte gati 400 mijë euro për një vit.
“MMPHI ende nuk ka të rregulluar çështjen e stafit (62 punonjës të komunitetit serb) të cilët paguhen por nuk kanë vijueshmëri në punë. Ndonëse kjo situatë po përsëritet, ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2023 ishte 398,164”, thuhet në raport.
“Për ministrinë kjo çështje është mjaft sfiduese për sistemimin e tyre në hapësira të përcaktuara të punës, për faktin që edhe nuk kanë objektiva të përcaktuara të punës, prandaj edhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri”, përfundon raporti i ZKA-së.