Telefonata me Chollet, Kurti e konfirmon gatishmërinë për takimet e radhës në dialog
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Gjatë kësaj bisede, kryeministri Kurti ia ka konfirmuar diplomatit të lartë amerikan gatishmërinë për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksader Vuçiq.
Në njoftimin e Qeverisë për këtë bisedë thuhet se Kurti dhe Chollet kanë biseduar për planin franko-gjerman.
“Diskutuan për propozimin evropian, të pranueshëm si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel. Gjithashtu, u theksua rëndësia e avancimit për Kosovën në integrime ndërkombëtare në kohën kur të arriturat demokratike dhe ekonomike të Kosovës në këto dy vitet e fundit janë evidentuar nga shumë organizata e institute ndërkombëtare prestigjioze. Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut”, është thënë në njoftim.
Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dje ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe po ashtu ka shkruar lidhur me vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një postimit në rrjetin social "Twitter", Chollet ka thënë se zbatimi i këtij propozimi është i nevojshëm.
"Biseduam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të konsiderueshme për të dyja vendet," – është shprehur ai.