Të paktën 17 të vdekur nga ortekët në Taxhikistan - NACIONALE

Të paktën 17 të vdekur nga ortekët në Taxhikistan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar të mundshëm pas një vargu ortekësh në rajonin malor, duke lënë të paktën 17 të vdekur.

Zyrtarët thonë se qyteza Khorog, kryeqytet i rajonit autonom, Gorno-Badakhshan, është goditur më së shumti, raporton televizioni BBC.

Dhjetëra shtëpi janë mbuluar nga bora dhe disa janë shkatërruar tërësisht. Pjesa më e madhe e shtetit të Azisë Qendrore është e mbuluar nga malet e larta Pamir dhe ortekët e shembja e gurëve janë rrezik i vazhdueshëm.

Zyrtarët lokalë thonë se 13 persona kanë vdekur në Khorog dhe katër të tjerë në pjesë të tjera që nga fillimi i ortekëve më herët këtë javë.

Disa njerëz janë lënduar, ndërsa raportohet se dy studente janë zhdukur në zonën Ishkoshim.

Në disa pamje të publikuara, ekipet e shpëtimit shihen duke nxjerrë një fëmijë nga një shtëpi e shembur. Njerëz të tjerë shihen duke gërmuar në borë me shpresën për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

Shumë banorë lokalë janë evakuuar në zona më të sigurta.

Ortekët e kanë bërë të pamundshëm kalimin në shumë rrugë në rajonin që kufizohet me Kinën dhe Afganistanin.

Për vetëm një ditë të enjten, autoritetet raportuan për 69 ortekë. Ato paralajmërojnë se ka rrezik për më shumë ortekë në ditët e ardhshme.

Lajme të ngjashme