Të pakënaqur: PDK-ja ankohet për QUINT-in në Prishtinë, VV-ja për QUINT-in në Beograd
Dy partitë më të mëdha në vend nuk janë fortë të kënaqura me punën e ambasadorëve të vendeve perëndimore.
Ndonëse për arsyeje të ndryshme, zyrtarët e këtyre partive janë ankuar për mosreagim të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it.
Derisa PDK-ja është ankuar për QUINT-in në Prishtinë, VV-ja ka shprehur ankesa për QUINT-in në Beograd.
Heshtje e ambasadorëve të huaj ndaj sulmeve të pushtetit për Gjykatën Kushtetuese, për PDK-në është e çuditshme.
Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka kërkuar nga diplomatët e vendeve perëndimore që të reagojnë ndaj sulmeve që pushteti po i bën Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka bërë me dije se gjatë qeverive të kaluara këta ambasadorë reagonin edhe për shqetësimet më të vogla.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ambasadorët po heshtin edhe kur para syve të tyre po politizohen të gjitha institucionet e pavarura.
“Dikur Ambasadorët reagonin për temat që shqetësonin shoqërinë apo kur politika nuk i përmbahej sa duhej detyrës së saj. Dikur, gjatë qeverive të kaluara, Ambasadorët reagonin edhe për shqetësimet më të vogla. Por, jo edhe tani! Ambasadorët po heshtin edhe kur para syve të tyre po politizohen të gjitha institucionet e pavarura. Ambasadorët po heshtin edhe kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti apo Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sulmojnë Gjykatën Kushtetuese, Prokurorët dhe Gjykatësit”, ka shkruar Gjoshi.
Sipas tij, një veprim i tillë nuk mund të paramendohet në vendet perëndimore.
“Ambasadorët po heshtin edhe kur Qeveria dhe njerëzit e saj po sulmojnë Lirinë e Fjalës! Ambasadorët e dijnë shumë mirë se kjo nuk mund të ndodhë në vendet e tyre demokratike, por ata po vazhdojnë të heshtin. Ambasadorët e dijnë se sulmet mbi institucionet e pavarura, mbi gjykatësit dhe prokurorët ndodhin vetëm në Rusi e shtetet rreth saj. Ambasadorë, pse po heshtni? Kur do të flisni?”, ka shkruar Gjoshi.
Edhe deputeti i VV-së, Dimal Basha, është ankuar vendet e QUNT-it në Kosovës dhe Serbi.
Por, natyre e ankesës së tij është ndryshe nga ajo e PDK-së.
Basha ka kërkuar reagimin e ambasadorëve perëndimor në Beograd për vjedhjen e zgjedhjeve të fundit nga presidenti serb Aleksader Vuçiq.
Atij nuk i ka pëlqyer as vizita e ambasadorëve të huaja që kanë pasur të ministri të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Sipas tij, ata duhet të ndihmojnë Serbinë pak më shumë.
“Ambasadorët e Quint-it paskan shku në zyre të Ministrit Krasniqi me pa nga afër mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për komunat në veri! Mirë boll, veç kisha pas qef me ditë, a kanë shku kolegët tuaj ambasadorë te Vuçiqi me u anku për vjedhjen e zgjedhjeve në Serbi, apo s’ka Quint-i ambasadorë atje?! Faleminderit që po na ndihmoni, veç nuk ish kanë keq me i ndihmu Serbisë pak ma shumë, se atje kanë nevojë ma shumë!”, ka shkruar Basha.