Të mërkurën diskutohet në Kuvend për Projekt Kodin Civil që njeh martesat e gjinisë së njëjtë - NACIONALE

Të mërkurën diskutohet në Kuvend për Projekt Kodin Civil që njeh martesat e gjinisë së njëjtë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Çështja e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë gjithmonë nxit debat publik e krijon tabore me qëndrime rigjide e përjashtuese. Kjo temë u rikthye në vëmendjen e publikut javë më parë kur në Kuvend u dorëzua projekt kodi civil i hartuar nga Ministria e Drejtësisë që njeh të drejtën e martesave mes gjinisë së njëjtë.

Madje në 3 marsin e këtij muaji ishte planifikuar të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës si pikë e tetë e rendit të ditës, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Megjithatë, këtë të hëne, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se projekt kodi do të shqyrtohet përsëri në seancën e 16 marsit.

Me projekt kodin e ri civil të miratuar fillimisht nga Komisioni për Legjislacion, parashihet njohja e të drejtës për martesat e së njejtës gjini. Nëpërmjet projekt kodit civil do të ripërkufizohet institucioni i martesës, e cila deri tani është njohur si bashkësi e dy sekseve të ndryshme.

“Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua.”, thuhet në nenin 1138 të Kodit Civil të Kosovës në kapitullin për martesat.

Në bazë të projekt kodit të ri, te nën-kapitulli 1, në të cilin shpjegohen kuptimet e martesës, theksohet se bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse janë të lejuara. Për më shumë, kushtet e procedura lidhur me bashkësitë e regjistruara civile rregullohen me ligj të veçantë.

Mirëpo, termi “bashkësi civile” është kritikuar si diskriminues duke nxitur reagime nga organizatat jo qeveritare që avokojnë për të drejtat e këtij komuniteti.

Nga “Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut’’ është paralajmruar se në rast të miratimit të projekt kodit civil me këtë përmbajtje, ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë kontekst, dhjetra organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile së fundmi kanë nënshkruar një letër përkrahëse deputetëve të Kuvendit, teksa kërkuan respektimin e Kushtetutës.

“Draft Kodi Civil duhet të jetë një kod gjithëpërfshirës. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të mbrojtur dhe të gëzojnë lirisht të drejtën për t’u martuar dhe për të pasur jetë familjare pa asnjë diskriminim. Personat e komunitetit LGBTIQ+ nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe nuk duhet të trajtohen si të tillë. Mbrojtja e këtij komuniteti duhet të jetë e institucionalizuar, dhe Projekt-Kodi Civil mund të bëjë pikërisht këtë’’, thuhet në letrën e tyre.

Ndarja në dysh e deputetëve

Teksa OJQ-të e ndryshme kërkojnë që ky projekt kod civil të avancojë tutje statusin ligjor të komunitetin LGBTIQ+, shumë të tjerë kanë kritikuar këtë iniciativë legjislative të Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo nismë ligjore si rrallëherë, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë u bënë bashkë në kundërshtimin e tij duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët me kërkesën mos ndryshimin e kapitullit mbi martesën.

Deklarata u nënshkrua nga Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, Ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji, kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës Femi Cakolli, dhe kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës Votim Demiri, raporton nacionale.

Në këtë deklaratë katër pikëshe, prijësit fetarë thanë se ndryshimet sa i përket familjes dhe martesës, cënojnë “Fjalën e Zotit”.

Lidhur me qëndrimin e bashkësive fetare kishte reaguar edhe transgjinori dhe aktivisti Lend Mustafa.

’’Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë’’, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Në linjë të njëjtë me klerikët, ka qenë edhe Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe deputetja në radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje. Në kundërshtimin e saj, Balje thekson se një gjë e tillë është e ndaluar me fenë që beson ajo.

’’Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë kundër. Kundër sepse nuk më përket me kulturën, traditën në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë’’, ka thënë Balje.

Ky qëndrim i deputetes ka ngjallur reagime të shumta nga aktivistë të komunitetit LGBTQ+. Platforma e aktivistëve të pavarur ‘‘Dylberizm’’ kanë kërkuar shkarkimin e deputetës Balje nga pozita e kryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

’’Besimi i saj fetar nuk duhet të jetë arsye diskriminimi e mohimi të të drejtave të njeriut, gjegjësisht një grupi të shtypur shoqëror’’, thuhet ndër të tjerash në reagimin e kësaj organizate.

Qëndrim dhe votë kundër mbi ndryshimet e Kodit Civil, tash e disa kohë ka edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Sipas Lushtakut ky ligj cënon vlerat e shëndosha europiane duke cituar fjalën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel, e cila besonte se martesa bëhet mes burrit dhe gruas.

Qëndrim kundër për miratimin në parim të Kodit Civil ka edhe grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kryetari i këtij grupi parlamentar, Besnik Tahiri, në një postim në Facebook ka shkruar se ky kundërshtim vjen pas kërkesave që AAK-ja ka marrë nga elektorati i tyre.

Të mërkurën, për herë të dytë, deputetët e Kuvendit pritet të diskutojnë mbi projekt kodin civil, i cili tashmë ka ndarë në dysh përfaqësuesit e popullit.

Lajme të ngjashme