Të gjithë thonë se Asociacioni po ndodhë, Bislimi vazhdon të përmend kushte - NACIONALE

Të gjithë thonë se Asociacioni po ndodhë, Bislimi vazhdon të përmend kushte

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Askush nga partnerët ndërkombëtarë nuk i përmend kushtet e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Derisa i dyti i qeverisë së Kosovës flet për pesë kushtet për hartimin e statutit të Asociacionit, SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë vetëm zbatimin sa më të shpejt të kësaj marrëveshje.

Madje, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se zbatimi i Asociacionit tashmë po ndodh.

Në një intervistë për “Euronews Serbia”, ai ka thënë se të gjitha palët e dinë se si do të duket ky asociacion.

Po, implementimi po ndodhë. Negociatat ishin të vështira, por ka një udhëzim të qartë, që është Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013. Edhe pse negociatat sigurisht që do të jenë të vështira, djalli është në detaje, dhe ka shumë të tilla. Mendoj që kemi udhëzime të qarta, sepse nga gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ne e dimë se si do të duket ai komunitet.”, ka thënë Hill.

Për zbatimin e marrëveshjes të premten kanë diskutuar edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it me kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është thënë se kanë shprehur përkushtimin e tyre të plotë për zbatim e pakushtëzuar të marrëveshjes.

Ata shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes. Kërkuan gjithashtu që procesi i anëtarësimit të Republikës se Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranimi i aplikimit të Republikës së Kosovës në BE të procedohet me shpejtësi si dy veprime fillestare të partnerëve tanë, që do të duhej të derivojnë nga dakordimi rreth Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të zbatimit të saj”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kushtet e Bislimit

Pas takimit të 4 prillit në Bruksel, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka përmendur disa kushte për hartimin e statutit të Asociacionit.

Gjatë raportimit para deputetëve, ai ka thënë se në Bruksel janë pajtuar që të respektohen pesë kritere për pranueshmerinë draftit të statutit të Asociacionit, i cili do të propozohet nga ekipi menaxhues.

E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, ka thënë Bislimi.

Gjatë raportimit në Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se kushtet tjera janë që ai draft të jetë në harmoni me disa akte tjera.

“Në ç’masë është në harmoni në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, ka thënë ai.

Por, këto kushte nuk i ka përmendur askush deri me tani.

Ato i ka mohuar në mënyrë kategorike edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Në llogarinë e tij në “Tëitter”, ai ka shkruar se pretendimet e Bislimit janë gënjeshtra.

Asnjë fjalë nuk është përmendur në Bruksel për “pesë kritere për Asociacionin” për të cilat po flet sot. Ka pasur bisedime për statusin e Asociacionit dhe grupit menaxhues. Bislimi po krijon gjëra sërish, duket se ka dëgjuar çfarë ka dashur, jo çfarë është thënë. Asociacioni mund të bëhet vetëm në pajtim me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.”, ka shkruar ai.

Kushtet nuk i ka përmendur as BE-ja. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbi duhet t`i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri me tani.

BE pret që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë të gjitha detyrimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i arritur në Ohër dhe të fillojnë zbatimin e tyre pa vonesë.. Bislimi dhe Petkoviq “diskutuan çështje të shumta.”, ka thënë Stano për “Express”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel kanë pranuar Planin e BE-së. Kurse, më 18 mars në Ohër kanë pranuar edhe Aneksin për zbatimin e saj.

Këto dokumente parashihet në mëyrë eksplicite që palët duhet t`i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke përfshirë edhe Asociacionin.

Për asociacionin palët janë pajtuar në vitin 2013 dhe 2015.

Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq kanë vazhduar bisedimet në Bruksel më 4 prill, ku kanë diskutuar për zbatimin e marrëveshjes se Asociacionit.

Lajme të ngjashme