Takimi i zbehtë i Kurtit me opozitën: çka pritet të diskutojë ai sot vetëm me Haradinajn? - NACIONALE

Takimi i zbehtë i Kurtit me opozitën: çka pritet të diskutojë ai sot vetëm me Haradinajn?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Krerët e dy partive më të mëdha opozitare në vend, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku, e kanë refuzuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për takim. I vetmi që do t’i shkojë në konak sot Kurtit është kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj. Takimi i Kurtit me Haradinajn pritet të nisë në orën 12:00.

E ditë më parë, përmes një shkrese elektronike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ftoi krerët opozitarë në një takim që do të mbahet të premten në orën 12:00.

Në shkresën elektronike, për të cilën ka raportuar Nacionale, nuk bëhej fare e ditur tema apo agjenda e takimit gjegjës.

"Shpresoj që ky email t'ju gjejë mirë. Po ju shkruaj në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti për të ftuar në një takim të përbashkët kryetarët e partive politike opozitare. Takimi mbahet këtë të premte me datë 21 tetor, në ora 12:00, në Zyre të Kryeministrit. Në takim është i ftuar kryetari i partisë politike bashkë me një shoqërues", thuhet në shkresën e pranuar dje nga opozita.

Megjithatë, duket se ky takim do të jetë i zbehtë, sepse vetëm Haradinaj e ka pranuar ftesën për t'u takuar me Kurtin. Abdixhiku e Krasniqi jo.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, deklaroi se LDK-ja nuk do të marrë pjesë, pasi, sipas saj, Kuvendi është vendi ku duhet të raportohet.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë edhe qëndrimet e saj. Ky ka qenë dakordimi i liderëve nga takimi paraprak. Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e dhënë nga Halimi.

Mospraninë në takim të enjten mbrëma e konfirmoi edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ai e ka quajtur ftesën e Kurtit joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll, duke refuzuar kështu pjesëmarrjen në takim. Krasniqi ka deklaruar se s’do t’i shkojnë Kurtit në takim për çështje teknike, por vetëm kur të flitet për marrëveshjen finale me Serbinë.

“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë - Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët ndërkombëtar të Kosovës”, tha Krasniqi nëpërmjet një video selfie të publikuar në faqen e tij në Facebook.

E ftesa e Kurtit për opozitarët erdhi menjëherë pas takimit të tij me të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Tema?

Çka mund të diskutojnë kryeministri Kurti e Haradinaj? Aty nuk do të jenë as Lumir Abdixhiku e as Memli Krasniqi. Të dy kanë deputetë më shumë.

Kohë më parë, në qarqet e opinionit kosovar, gjithmonë në rrafshin jozyrtar, qarkullonin zëra se mund të ketë një koalicion VV - AAK.

Deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete në atë drejtim dhe, për më tepër, kjo çështje po shihet si e pamundur për t'u diskutuar tash.

Gjithsesi, mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat sot, ndërsa shpresojmë që mos të thuhen fraza që në një kohë të mëvonshme do të keqpërdoren për poenë politikë.

Zhvillimet

Zbarkimi i Gabriel Escobar-it në Kosovë e ka kthyer dialogun në vëmendje totale.

Deklarimet në Kanal10, duke pranuar se e diskutoi me presidenten Osmani edhe çështjen e Asociacionit, ku, siç tha ai, të dyja palët të dalin fituese, u shpërndanë goxha shumë.

Escobar-i e theksoi faktin se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme