Takimi i së martës: ShBA dhe BE thonë është për dinarin, Qeveria për Marrëveshjen
Të martën, më 19 mars, në Bruksel pritet që të ketë diskutime mes Kosovës dhe Serbisë. Kësaj radhe, në nivel kryenegociatorësh. Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të jetë i pranishëm atje. Derisa BE-ja, e madje edhe ShBA-ja po thonë se temë diskutimi do të jetë dinari, Qeveria po deklarohet që ftesa është me focus te avancimi i zbatimit të marrëveshjes bazike.
“Nuk shkoj në Bruksel për të diskutuar dinarin” – kështu mund të përmbledhet deklarata e dhënë në fund të shkurtit, pasi ishte ftuar në një takim në Bruksel rreth dinarit.
Ai ishte shprehur se kjo çështje nuk është pjesë e dialogut, dhe se në Bruksel, shkon vetëm kur bisedohet për dialogun.
Por, sot Bislimit i ka ardhur një ftesë tjetër për Bruksel, e cila mban datën e 19 marsit. Tema e diskutimit – dinari.
Siç u konfirmua pak më herët nga këshilltari i tij, Klisman Kadiu, zëvendëskryeministrit, njëherit kryenegociatori, e ka pranuar këtë ftesë. Por, ka një dredhi. Qeveria po pretendon se ftesa është për të diskutuar marrëveshjen bazë dhe aneksin e saj.
“Pas takimit të 5 marsit të javës së kaluar me emisarin Lajçak, zëvendëskryeministri Bislimi ka pranuar një ftesë nga ai, për takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, për të martën e ardhshme. Ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues.” – ka thënë ai.
ShBA-ja dhe BE-ja: Do të flitet për dinarin
Në një intervistë dhënë për Radio Evropën e Lirë, ku kritikoi ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë e drejtuar nga ky subjekt politik, emisari Gabriel Escobar e bëri të qartë se të martën kryenegociatorët do të flasin për dinarin.
“Unë ende jam duke shpresuar që, kur kryenegociatorët të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz.” – u shpreh ai.
Në anën tjetër, një gjë të tillë e theksoi edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai e bëri me dije, se do të vazhdohet diskutimi për dinarin, por se mund të fliten edhe çështjet tjera në kuadër të dialogut.
“Të martën, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorët, homologët e tij kryesorë, të vijnë në Bruksel për të vazhduar diskutimet. Pra, para së gjithash, të vazhdohet diskutimi, i cili tashmë ka filluar para disa javësh për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin. Dhe do të ketë edhe pika të tjera për të diskutuar mes kryenegociatorëve nga Serbia dhe Kosova në Bruksel, të cilat janë çështjet më urgjente në kuadër të dialogut.” – u shpreh Stano.