Takimet diskrete apo sekrete të Solothurnit?
Gazeta prestigjioze zvicerane, “Neue Zurcher Zeitung” raportoi se Zv/Kryeministri Besnik Bislimi ishte takuar në dhjetor me ministrin serb Marko Gjuriq, larg syve të kamerave. Ministria e Jashtme e Zvicrrës i ka konfirmuar bisedimet e Solothurnit, por pa dhënë shumë detaje. Ndërkohë, nga partia në pushtet, anipse publiku s’e dinte për këto takime, u munduan ta relativizojnë këtë çështje. Ata mohuan specifikisht takimin Bislimi-Gjuriq, por jo edhe këtë format takimesh. Ndërkohë partitë opozitare, nuk folën fare.
Përditësim: Gazeta ka përditësuar tekstin duke shtuar një fjali, ku thuhet se Bislimi e Gjuriq nuk janë takuar direkt mes vete.
Çka ndodhi?
Gazeta zvicerrane NZZ, raportoi se Bislimi e Gjuriq u takuan në Solothurn, madje pjesëmarrësit, sipas burimeve të gazetës habiteshin sa familjar ishte Bislimi me Gjuriqin.
“Një politikan i lartë kosovar dhe një politikan i lartë serb ecën së bashku nëpër qytetin e vjetër të Solothurnit drejt hotelit të tyre pas darkës… Në planin publik, në të dyja anët dominojnë qëndrimet e ashpra. Por në qytetin e vogël zviceran, përfaqësuesit e të dyja palëve flisnin me njëri-tjetrin aq familjarisht, saqë kjo befasoi edhe ata që e njohin mirë konfliktin”, shkruan gazeta “Neu Zurcher Zeitung”.
Gazeta shkruan se këto takime nuk u konfirmuan asnjëherë, e as nuk u njoftua për to. Madje, Blick kishte raportuar për një takim në nëntort të vitit 2025.
“Sipas disa burimeve, midis tyre ishin Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe Ministri i Jashtëm serb dhe ish-ambasadori në SHBA, Marko Djuric. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA) konfirmoi me kërkesë se organizon Bisedimet e Solothurnit dy deri në tre herë në vit”, thuhet në këtë raportim.
MPJ e Zvicrrës: Diskrete por jo sekrete
Zëdhënësja e MPJ-së zvicerane, Lea Zurcher, ka thënë për Express, se organizojnë bisedime dy apo tri herë në vit në qytetin e Solothurnit, meqë s’duan që palët të jenë të ngarkuara nga vëmendja e publikut. Megjithatë ajo thotë se këto takime s’janë sekrete, por siç i quajnë diskrete. Sidoqoftë për udhëtimet atje dhe pjesëmarrjen s’ka njoftime zyrtare nga pjesëmarrësit.
“Zvicra mbështet dialogun midis Serbisë dhe Kosovës si pjesë e angazhimit të saj për ndërtimin e besimit dhe mirëkuptimit. Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA) organizon bisedimet e Solothurnit dy deri në tre herë në vit. Ndërsa zhvillohen në mënyrë diskrete, këto takime nuk janë sekrete”, ka thënë ajo .
Reagimet e VV-së:
Këshilltari i ZV. Kryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, mohoi se shefi i tij u takua me Gjuriq. Por edhe ai konfirmoi se ekziston një format takimesh.
“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i gjerë dhe përfshin shumë akterë ndërmjetësues. Krahas BE-së, ka edhe vende partnere e mike të cilat organizojnë iniciativa të ndryshme për ndërmjetësim mes palëve. E tillë është edhe Zvicra, që e bën këtë përmes Departamentit për Punë të Jashtme" – tha ai.
Por sipas tij, “zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator në këtë mandat, në procesin e dialogut, nuk ka patur takime "të fshehta", e aq më pak me Marko Gjuriq”
Ndërkohë, Kryetarja e Alternativës që është në koalicion me Vetëvendosjen, Mimoza Kusari-Lila, kritikoi mediat zvicerrane, duke thënë se ajo çfarë bëjnë ata, s’është gazetari por papërgjegjësi.