Takim koti: S’ka rezultate në bisedimet në Bruksel, Bislimi e Petkoviq takohen sërish javën tjetër - NACIONALE

Takim koti: S’ka rezultate në bisedimet në Bruksel, Bislimi e Petkoviq takohen sërish javën tjetër

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ka përfunduar pa rezultate takimi i pestë në Bruksel rreth çështjes së pagesave me dinarë serbë brenda Republikës së Kosovës. Kryenegociatori Besnik Bislimi, e ka quajtur “takim koti” atë të ditës së sotme, derisa pritet një tjetër gjatë javës së ardhshme.

Bislimi, sipas mediave, ka deklaruar që pala serbe nuk shkoi në takim me ide për trajtimin e propozimit të emisarit, Miroslav Lajçak, të cilin Qeveria e Kosovës e ka përkrahur.

“Takim koti” – i ka quajtur ai mes tjerash bisedimet e sotme.

Pala serbe pretendon se bëri “propozim konstruktiv”

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, sipas “N1”, ka deklaruar se ata kanë pasur një propozim konstruktiv, e që mes tjerash, ka pretenduar se ky u vlerësua nga Brukseli:

Ne dolëm me një propozim konstruktiv, ai propozim u vlerësua nga Brukseli, gjegjësisht (përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, si bazë solide për vazhdimin e bisedimeve, me të cilin edhe një herë treguam se jemi palë që kujdeset për një zgjidhje praktike.” – citohet se ka thënë ai.

Kjo tregon se nuk kanë dëshirë të gjejnë zgjidhje për dinarin dhe transaksionet e pagesave në territorin e Kosovës.” – është shprehur ai tutje.

Petkoviq, mes tjerash konfirmoi se javën tjetër do të ketë sërish bisedime:

Javën e ardhshme kemi një raund të ri dhe sërish do të tregojmë të gjithë konstruktivitetin tonë, ndaj le të shohë bashkësia ndërkombëtare se kush është fajtor dhe kush i ka shkelur të drejtat elementare të serbëve në Kosovë. Prishtina dhe Albin Kurti nuk duan zgjidhje dhe marrëveshje.” – ka thënë ai

Kosova e përkrah propozimin e BE-së

Në takimin e para pak javësh, kryenegociatori Besnik Bislimi e kishte vlerësuar propozimin e emisarit Lajçak, duke thënë se i njëjti është konstruktiv dhe në rrugën e duhur drejt zgjidhjes.

“….Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së.” – kishte thënë Bislimi.

Për këtë, ai u lavdërua sot nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili nga gazetarët, pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani u pyet edhe mbi këtë çështje.

“….të jem i sinqrtë, vlerësojmë edhe deklaratën e z.Bislimi i cili ka thënë fjalë pozitive për një propozim të kompromisit. Këtë kemi shpresuar, ta shohim. Shpresojmë që kjo të zgjidhet për të dyja palët, dhe të vazhdojmë të flasim për gjëra të tjera kritike, për implementimin e plotë të Marrëveshjes Bazike.” u shpreh ambasadori mes tjerash.

Lajme të ngjashme