Hovenier pyetet për takimin në Bruksel: Na vjen mirë që Bislimi e pranoi kompromisin, ta shohim - NACIONALE

Hovenier pyetet për takimin në Bruksel: Na vjen mirë që Bislimi e pranoi kompromisin, ta shohim

1 javë më parë

nga NACIONALE

Sot në Bruksel janë duke u zhvilluar takime të reja rreth çështjes së dinarit, të pestat me radhë prej një shkurtit, kur edhe hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon pagesat me valutën serbe. Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në një deklaratë para gazetarëve ka vlerësuar fjalët pozitive të thëna nga kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi në lidhje me propozimin e emisarit evropian, Miroslav Lajçak.

Duke folur në lidhje me takimin që po mbahet këtë të enjte, ambasadori amerikan ka thënë se vlerëson deklaratat e Bislimit:

“….të jem i sinqrtë, vlerësojmë edhe deklaratën e z.Bislimi i cili ka thënë fjalë pozitive për një propozim të kompromisit. Këtë kemi shpresuar, ta shohim. Shpresojmë që kjo të zgjidhet për të dyja palët, dhe të vazhdojmë të flasim për gjëra të tjera kritike, për implementimin e plotë të Marrëveshjes Bazike.” – u shpreh ambasadori mes tjerash.

Çka kishte thënë Bislimi?

Pas takimit të para dy javësh rreth dinarit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte shprehru se Kosova dhe Serbia kanë dallime të mëdha.

Megjithatë, ai kishte vlerësuar propozimin e emisarit Lajçak, duke thënë se i njëjti është konstruktiv dhe në rrugën e duhur drejt zgjidhjes.

“….Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së.” – kishte thënë Bislimi.

S’ka marrëveshje

Ndërkohë, për takimin e sotëm, Bislimi nuk është deklaruar ende. Megjithatë, kryenegociatori serb Petar Petkoviq, para gazetarëve sapo ka bërë me dije se nuk ka marrëveshje.

Petkoviq ka pretenduar se shteti që ai përfaqëson ka dalë me një propozim konstruktiv, të cilin “e vlerësoi Lajçak”.

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv, ai propozim u vlerësua nga Lajçaku, si bazë solide për vazhdimin e bisedimeve, e cila edhe një herë tregoi se ne jemi palë që kujdesemi për zgjidhje përfundimtare.” – ka thënë ai, sipas “N1”.

Sot, emisari Lajçak njëjtë si herëve të tjera ka zhvilluar fillimisht takime të ndara me të dy palët.

Më pas, ka qenë një takim trepalësh, i cili ka përfunduar, sipas fjalëve të Petkoviq, pa ndonjë marrëveshje.

Lajme të ngjashme