“Tahmaqari Isë”: Krysindikalistët kujtojnë ‘fërrkat’ e ashpra që kishin me ish-kryeministrat - NACIONALE

“Tahmaqari Isë”: Krysindikalistët kujtojnë ‘fërrkat’ e ashpra që kishin me ish-kryeministrat

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrahman Jasharaj – kryesindikalisti i SBAShK-ut – i ka dhënë peshën dhe popullaritetin që meritojnë sindikatat në vendin tonë. Sidoqoftë, përplasjet e tij me kryeministrin Albin Kurti janë vetëm ‘qershia’ mbi një tortë të madhe përplasjes që ka pasur me ish pushtetarët tanë. Grumbulluar bashkë, këto përplasje shpesh kishin eskaluar në veprime radikale sindikale, në raste edhe në dhunë fizike por sidomos në fjalë të rënda.

Së fundi janë të shpeshta përplasjet mes sindikalistëve dhe Qeverisë Kurti. Trysnia shoqërore është rritur pas krizave të njëpasnjëshme financiare, sidomos pas rritjes alarmante të çmimeve të produkteve esenciale. Sindikatat janë parë si përçuesit e mëdhenj të pakënaqësive dhe vazhdimisht kanë bërë thirrje për ndërhyrje të qeverisë në përmbushjen e kërkesave sindikale.

Qeveritarët, deputetët, anëtarët e përkrahësit e VV-së ishin të ashpër ndaj trysnisë sindikale. Çdo kërkesë a kritikë sindikale është cilësuar si dashakeqëse dhe e motivuar kundër pushtetit të VV-së. Të blerë, të shitur a të kapur, apo të gjitha së bashku, janë epitetet që kryesisht dëgjohen a lexohen kundër sindikalistëve.

Sindikalistët i thanë gazetës Nacionale se çka duan është që qeveria të ulet e të dialogojë me ta; kërkesat thonë se i kanë të drejta, dhe se janë të çuditur e të shokuar nga qasja armiqësore e qeverisë karshi tyre me akuza e linçime.

‘‘[...] Kemi pasur kryesindikalistë që i kanë mbrojtur vendet e punës, të drejtat e punëtorëve dhe për atë gjë janë rrahur. Në anën tjetër, kemi sindikalistë që në fillim të qershorit 2017, midis fushatës zgjedhore, patën bërë memorandum bashkëpunimi me PAN-in” – thoshte kreu i qeverisë Albin Kurti nga foltorja e kuvendit.

Ministrit Hekuran Murati i takon të dialogojë me sindikalistët sipas detyrës zyrtare – së paku t’i dëgjojë hallet a kërkesat e tyre. Ministri s’mori mundin t’i takonte asnjëherë sindikalistët përgjatë mandatit të tij njëvjeçar. Ministri i punës e kishte gojën plot mllef kundër sindikalistëve, kur këta të fundit i thonin se mund të organizojnë protesta a greva nëse nuk miratohet Ligji i Pagave.

‘‘Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura” – thoshte shefi i Ministrisë së Punës përmes Facebook-ut, dhe ku bënte ndërlidhjen e sindikatave me qeveritë e kaluara.

Ligjërimi kundër sindikalistëve kryesisht është limituar rreth asaj se sindikalistët janë të paaftë, të korruptuar, se kërkesat i kanë të pabazuara, se ju kanë shërbyer e vazhdojnë t’u shërbejnë partive opozitare dhe se sindikalistët s’e kanë çelur gojën kur në pushtet ishin partitë e sotme opozitare e ndaj tyre s’kanë bërë presion e kërkesa.

Sindikalistët në disa raste kanë reaguar nëpër medie, ani pse kryesisht kanë kërkuar që diskutimet e kundërshtimet mes tyre e qeveritarëve të bëhen nëpër takimet zyrtare, pasi, siç thonë ata, vetëm dialogu zyrtar mes tyre çon në kompromise dhe mirëqenie shoqërore.

Gazeta Nacionale ka biseduar me sindikalistë dhe të cilët thanë se nëse shihen fer zhvillimet sindikale ndër vite dhe s’tentohet të manipulohen të vërtetat del se trynisa për drejtësi shoqërore ka qenë edhe më e madhe ndaj qeverive të kaluara. Bile, sindikalistët insistojnë se trysnia sindikale ishte përkthyer me plotësim të kërkesave në shumë raste.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, dhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarus të Sektorit Privat, kanë biseduar me gazetën Nacionale dhe kanë kujtuar përplasjet me ish-kryeminsitrat Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Abdullah Hoti dhe kërkesat sindikale karshi tyre.

Protesta, greva, përplasje – protesta, greva, përplasje dhe plotësim i kërkesave

Kreu i sindikatës së arsimit, Rrahman Jasharaj, është ‘propozuar’ nga memexhinjtë në rrjet për kryenegociator të Kosovës për dialogun me Serbinë. Reputacionin si negociator i zoti, Jasharaj e ka fituar pasi të gjitha qeveritë janë zmbrapsur para kërkesave të tij.

Përtej thumbave të rrjetit, cilido kryeministër i 8 viteve të fundit është përballur me kryeneçësinë e Jasharajt në mbrojtje të kërkesave sindikale – bile edhe gjatë kohës kur ai s’ishte në krye të SBAShK-ut por që ishte pjesë e negociatave me qeveritë e atëhershme.

Rrahman Jasharaj i ka thënë gazetës Nacionale se ‘‘sikurse tash që po sulmohemi [verbalisht] asnjëherë s’ka ndodh’’ dhe se tashmë ekziston një block që qeveria Kurti ka vendosur karshi sindikatës së tyre. Ai çuditet me këtë, pasi, sipas tij, edhe më parë kanë pasur mospajtime e janë përplasur ashpër me qeveritarë ama megjithatë ka vazhduar dialogu mes tyre.

Jasharaj e di se tashmë emri i tij lidhet ngushtë me ish-kryeministrin Thaçi dhe beson që kjo vjen pasi pas luftës bënte shkrime nga ku dilte në ‘‘krah të krahut të luftës’’ dhe njerëzit e shohin PDK-në si përfaqësuese të luftës.

‘‘Për qëndrimet sindikale ne nuk kemi lëshuar pe [as] te Thaçi. Ai ka pranuar të përmbushë kërkesat tona për rritje të pagave, por ne jemi rrokur me të [pasi] nga kërkesa jonë për rritje në 30% të pagave qeveria e atëhershme vendosi t’i rritë vetëm 25%’’ – kujton Jasharaj kohën kur me protesta e greva kërcënonte edhe Thaçin, por që thotë se ai prej fillimit ishte i gatshëm t’i rrisë pagat për mësimdhënësit.

Atë kohë SBAShK-u kishte pranuar rritjen nga Qeveria Thaçi, por në pak vite do vinte me kërkesa ndaj bashkëkoalicionit të Thaçit me Isa Mustafën. Kryeminsitrit Mustafa i kërkonin që mësimdhënësve t’u njihen kontributet për vitet e ‘90-ta si dhe të bëhej ligji për pension për mësimdhënësit e atyre viteve.

‘‘Tamahqar ma të madh se Isa Mustafa sun gjen’’ – thotë Jasharaj për Nacionalen.

Ai tregon se çdo bisedë mes tyre ishte acaruese pasi Mustafa ishte një kalkulues i ftohtë dhe e kishin të vështirë të negocionin me të. Sidoqoftë, mes kundërshtive e përplasjeve dhe rrezikut se mësimdhënësit mund të futeshin në grevë, Qeveria Mustafa dhe SBAShK-u arritën marrëveshje.

Mësimdhënësve u njiheshin kontributet dhe kështu për mësimdhënësit që dilnin në pension dhe kishin vite të gjata pune, pensionet u rriteshin dukshëm dhe merrnin pensionin e punës dhe jo të moshës. Mirëpo, ligji për pensionet e viteve të ‘90-ta nuk ishte realizuar nga qeveria e atëhershme me në krye Mustafën.

Ndërsa më të ndezur në negociata ishin me Ramush Haradinajn si kryeministër.

Kërcënimet se mësimdhënësit do të hynin në grevë, do materializoheshin karshi Haradinajt. Greva e përgjithshme do të fillonte në janar 2019, pasi sindikata e arsimit nuk ishte e kënaqur me koeficientin e pagave në Ligjin për Paga të propozuar nga Qeveria Haradinaj. Ramush Haradinaj do të dorëzohej para presionit të sindikatave dhe do të rriste koeficientin, gjë që edhe i dha fund asaj greve.

Jasharaj tregon se ka pasur përplasje të ashpra me përfaqësuesit e Haradinajt. Një rast që i ka mbetur në mendje është kur përfaqësuesit qeveritarë kishin lëshuar takimin dhe e akuzonin atë se po rrezikonte buxhetin si dhe sektorët tjerë të publik në vend.

‘‘Nuk kishim acarrime vetëm me Albin Kurtin. Kemi pritur që do na lulëzojë jeta me të kryeministër’’ – thotë Rrahman Jasharaj duke insistuar se tashmë kryeministri Kurti duhet të kuptojë se s’kanë asgjë personale me të, por se kërkesat e tyre duhet të plotësohen pasi janë të drejta.

Edhe Jusuf Azemi foli me Nacionalen për përplasjet e tij me qeveritarët në të kaluarën. Azemi që mbulon problemet e punëtorëve më të shtypur në vend, ata të sektorit privat, kujton se në kohën sa Ramush Haradinaj ishte në krye të qeverisë, sindikata tentonte që të shtyente përpara nënshkrimin e kontratës kolektive, e po ashtu rritjen e monitorimeve për të drejtat e punëtorëve.

Azemi thotë se në një rast, përderisa po flsinin me ish-kryeministrin Haradinaj për mbledhjen e taksave si dhe kontributeve pensionale, ai i ishte drejtuar me akuza të parit të qeverisë.

‘‘Po dyshoj që je pjesë e keqpërdorimeve të kompanive private, sidomos tek mbledhja e trustit pensional’’ – ishin fjalët e Azemit karshi ish-kryeministrit.

Sindikalisti i punëtorëve të pavarur po ashtu është kapur edhe me ish-kryeministin Hoti.

‘‘Përgjatë [masave shtrënguese të] pandemisë ishin në diskutime të vazhdueshme me kryeministrin e atëhershëm Hoti. Bile patëm arritë marrëveshje që qeveria të jep pagesë shtesë edhe për mirëmbajtësit e QKMF-ve, çka refuzohej më parë’’ – thotë Azemi për Nacionalen.

Mirëpo, ani pse disa herë kryeministri i kishte pritur në takime, një rast kishte bërë që të kriseshin marrëdhëniet mes dy palëve.

‘‘Na lamë takim në ora 10 të mëngjesit. Unë si zakonisht, shkoj në takime 10 apo 15 minuta para orarit të caktuar. Atë ditë, kryeministri Hoti kishte vendosur të vonohet në takim. Shefi i statit të kryeministrit na thoshte se Hoti është në një takim të rëndësishëm dhe se duhet ta prisnin edhe pak. Unë jam i tillë që ndihem i parespektuar nëse dikush si respekton oraret e caktuara’’ – ishte biseda e Azemit me zyrtarët e qeverisë.

Azemi kishte vendosur të dilte nga selia e qeverisë dhe të mos priste në takim ish-kryeminsitrin Hoti. Të njëjtën, ai e kishte bërë edhe para pak ditëve kur në komisonin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale ishte larguar nga takimi pas disa shtyerjeve në agjendë.

Përderisa vazhdojnë pasojat e krizave ekonomike, sindikalistët e shohin të rëndësishme që qeveria të ulet dhe të bisedojë me ta, pasi vazhdimisht insistojnë se kërkesat e tyre janë të drejta, dhe vazhdojnë të çuditen me vrrullnin dhe akuzat që po bëhen ndaj tyre.

Lajme të ngjashme