Tahiri kërkon reagimin e institucioneve ndaj kushtit të ri për viza
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar reagimin e institucioneve të Kosovës për kushtin e ri për liberalizim të vizave.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai ka thënë se kjo është e padrejtë dhe duhet të reagohet.
“Dje u vendos edhe një kusht, nesër do të dalë një shtet tjetër do të vendos edhe një kusht. Ky trajtim jodinjitoz i Kosovës duhet ndaluar. Drejtimi ynë dihet, është pro-perëndimor, në politikën e jashtme të sigurisë pro-amerikan, në agjendën evropiane 100 për qind pro Brukselit. Derisa Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk e sanksionon Rusinë, kalkulon dhe luan me agjendën e tyre për interesa politike, Kosova e ka një drejtim dhe të moskeqpërdoret kjo. Kjo duhet të ndodhë nga Kuvendi. Kryetari i Kuvendit duhet ta adresojë një letër dhe kryeministri duhet të flasë”, ka thënë Tahiri.