Tahiri i PDK-së: Të enjten do të kërkojmë shkarkimin urgjent të ambasadorit Martin Berishaj
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se do të kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të ambasadorit Martin Berishaj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës të enjten.
Ai ka thënë se një pushtet që emëron dhe mbron ambasadorë protagonistë të aferave multimilionëshe nuk mund të përfaqësojë popullin e Kosovës.
"Të enjten në seancën e Kuvendit, do të kërkojmë shkarkimin urgjent të ambasadorit Martin Berishaj, qëndrimi i mëtutjeshëm në detyrë i të cilit, është thjeshtë i papranueshëm. Një pushtet që emëron dhe mbron ambasadorë protagonistë të aferave multimilionëshe me mafinë energjetike të Serbisë, nuk përfaqëson qytetarët e Kosovës dhe as të ardhmen e saj." - shkroi ai në Facebook.
Kujtojmë se dyshimet për skandal financiar të Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci, po vazhdon të jetë aktual, me raportime të reja në mediet kosovare e rajonale, përfshirë ato sllovene. E gjithë vëmendja e kthyer erdhi pas një raportimit të medies sllovene “Prava”, ku përveç Berishajt, përmendej edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.