Tahiri i AAK-së: Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, sot në seancën plenare të kuvendit ka thënë se Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021.
Ai ka theksuar se Qeveria Kurti është kthyer në një instancë që vetëm flet për 20 vjetët e kaluar.
“Duke i shtyrë përpara ligjet antikushtetuese është prekur shtylla kurrizore, bazamenti i një shteti që është administrata ligjore dhe shteti ligjor. Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021. Qytetarët e Kosovës duke e humbur shpresën kanë marrë rrugën e mërgimit. Duke mos mundur ta konceptojnë zhvillimin, duke mos pasur asnjë investim të huaj tash e dy vjet, duke thënë se do të bëjnë me qindra çerdhe, Qeveria Kurti është kthyer në një instancë që vetëm flet për 20 vjetët e kaluar”, ka thënë Tahiri.
Tutje, Tahiri theksoi se vitin e kaluar në Ambasadën Gjermane kanë aplikuar për vizë 105 mijë persona, ndërsa në atë zvicerane mbi 38 mijë.
Sipas tij, afër 600 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova.
“Vetëm në vitin 2022 në Ambasadën gjermane 105 mijë kanë aplikuar për vizë. Në ambasadën zvicerane mbi 38 mijë. Nga MPB-ja kam marrë informatë që 10 mijë kanë hequr dorë nga shtetësia për dy vjet. Brenda 10 vite është larguar 30 për qind e popullatës së Kosovës. Afër 600 mijë kanë ikur prej Kosovës. Nëse vazhdojmë me këtë trend për 10 vitet e ardhshëm do të mbesim popullatë më pak se Mali i Zi. Mendoj që duhet urgjentisht të bëhet një analizë se cilat janë shkaqet e ikjes”, ka thënë ndër të tjera ai.
