Sveçla: Serbia ka shkelur dakordimin për targat
Pas disa raportimeve gjatë ditës së sotme nga mediat serbe në Kosovë, se ka pasur shkelje të marrëveshjes për targat nga ana e Policisë së Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka konfirmuar se ka pasur ndalime për hyrje në pikat kufitare, duke thënë se, “Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale "KM", të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022.”
Megjithatë, ai ka argumentuar se është Serbia ajo që ka shkelur marrëveshjen, më anë të së cilës do ndalohej prodhimi i targave ilegale dhe ri-regjistrimi i atyre ekzistuese.
“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim,” – ka shkruar Sveçla.
Ai më tej ka bërë të ditur se raste të ngjashme, nuk do të lejohen edhe më tej të hyjnë apo veprojnë brenda vendit.
“Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës. Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojmë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre.”

