Sveçla: Pamjet janë siguruar nga dronët e konfiskuar të grupit terrorist, përgatitjet u bën në Serbi
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferenë për medie ka dhënë detaje të reja për sulmin terrorist në veri të vendit.
Ai ka thënë se përgatitja e sulmit terrorist është faktuar edhe me video dhe tregojnë që është bërë nga Serbia.
“Çdo ditë kemi dëshmuar lidhjen e shtetit serb me sulmin në Banjskë. Ky organizim kishte synim aneksimin e territorit të Kosovë. Në vazhdimësi kemi njoftuar që Serbia ka vënë në dispozicion kapacitetet, dhe këto ditë kemi ofruar dokumente të rëndësishme. Ndërsa sot do të shohim me video e fotografi jo vetëm sulmin, por edhe përgatitjet nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimit. Këto janë organizuar nga Radojçiq. Në deklarimet e tij publike presidenti serb është munduar ta mohojë faktin që shteti që ai udhëheqë ka planifikuar sulmin e 24 shtatorit, por dokumentet që kemi publikuar dhe pamjet e sotme janë dëshmi e organizimit të strukturave ushtarake e shtetërore në këtë organizim. Dokumenti që kemi publikuar ishte vërtetim që Ushtria e Serbisë e kishte dhënë gjithë armatimin. Dje e sot kemi gjetur sasi të tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni. Serbia tha se ky ishte grup i serbëve lokalë, ne publikuam harta që tregonin planifikimin ushtarak. Serbia tha se vrasja e policit nuk ishte e munduar, por video dëshmojnë sulmin me kalibra të rëndë edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku. Përgatitjet, trajnimi dhe ushtrimi janë bërë në territorin e Serbisë. Pamjet janë siguruar nga dronët e konfiskuar të grupit terrorist.” – ka thënë ai.
“Shteti kriminal i Serbisë, ish-ministri i propagandës së Millosheviqit, pas dështimit të aneksimit të veriut, po dështon edhe në manipulimin se ata nuk ishin në këtë organizim terrorist. Pablo Escobari i Serbisë u mundua të bëhet Prigozhin i Serbisë, por ai dështoi siç dështoi edhe Putini i Vogël i Serbisë. As veriu nuk është Donbas, e as Serbia nuk është Rusia. Tash kur provat janë evidente, është jetik dënimi dhe sanksionimi i sulmit terrorist nga ana e faktorit ndërkombëtar.” – ka thënë ai të dielën më 1 tetor.