Sveçla: Do t'i kërkojmë Serbisë ekstradimin e Radojiçiqit
Qeveria e Kosovës, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla do t’i kërkojë Serbisë, përmes partnerëve, që t’i dorëzojë drejtësisë së vendit tonë të gjithë anëtarët e grupit terrorist që arritën të ikin pas sulmit të së dielës. Ai po ashtu, ka deklaruar që do të kërkohet edhe ekstradimi i Milan Radojiçiq.
Në një intervistë dhënë “REL”-it, Sveçla është shprehur se do të identifikohen të gjithë terroristët e përfshirë në sulm.
“Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia - patjetër përmes partnerëve tanë - që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë.” – është shprehur ai.
Një prej pyetjeve që iu shtrua atij, ishte edhe nëse do të kërkohet ekstradimi i Radojiçiqit. Sveçla, nuk la asnjë dyshim se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Po, patjetër. Të Radoiçiqit dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist.” – tha ai.