Suspendimi i certifikatës së Klanit, Kusari: Vendimi politik, si dokument i hetuesisë
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar ndaj vendimit për të suspenduar përsëri certifikatën e biznesit të Klan Kosovës.
Në profilin e saj në “Facebook”, znj. Kusari ka shkruar se Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po e vazhdojnë luftën speciale "në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova."
“Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë luftën speciale në përpjekje të dështuar dhe të turpshme për mbylljen e televizionit nacional Klan Kosova. Sot ARBK-ja paska anulu vendimin për anulimin e vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit Klan Kosova. Vendimi është politik, duket si dokument i hetuesisë, ka bazë të gabuar ligjore, nuk ka arsyetim ligjor por vetëm politik dhe si i tillë duhet të kundërshtohet fuqishëm”, ka shkruar Kusari.
Një ditë më parë u kumtua lajmi se në fakt vendimi i parë për pezullim ishte anuluar, çka bëri që znj. Kusari të reagonte pozitivisht.
Por, duket se anulimi i djeshëm nuk i ka pëlqyer pushtetit që siç raportohet edhe ka shkarkuar u.d. të drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshin.