Surroi shkruan për një dasmë serbe në Prizren: A është shenjë normaliteti apo vepër subversive? - NACIONALE

Surroi shkruan për një dasmë serbe në Prizren: A është shenjë normaliteti apo vepër subversive?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Veton Surroi, opinionist i njohur dhe shkrimtar, ka shkruar një opinion me titull “Një dasmë serbe në Prizren”, që u botua në mediumin Koha. Në këtë shkrim, Surroi shkruan në lidhje me një reportazh të një dasme të një çifti serb në Prizren.

Surroi tregon se fotografinë dhe urimin i ka botuar në rrjetin social “X”, ndërsa shpjegon edhe arsyet pse e botoi shkrimin.

“I pari ka pjesë në konceptin e ndërtimit të këtij shteti, një mendimi të cilit i kam kontribuuar si njëri prej prijësve që në fillim të rezistencës paqësore ndaj okupimit të Serbisë. Pra, unë kam menduar, shkruar, angazhuar dhe vazhdoj të shpjegoj se Republika e Kosovës nuk është e ndërtuar në dëm të interesave të asnjërit qytetar e identitetit kombëtar në Kosovë. Republika e Kosovës, pra, nuk është ndërtuar në dëm të serbëve a cilitdo komb tjetër, por për të mbrojtur interesat e shumicës së shtypur shqiptare dhe njëkohësisht të gjithë qytetarëve të komuniteteve joshumicë.” – shkruan Surroi.

Tutje, opinionisti jep edhe një motiv tjetër, duke shtruar edhe dy pyetje në këtë kontekst.

“I dyti është empatia. Kosova dhe Serbia - varësisht prej përllogaritjes - kanë së paku njëqind vjet konflikt. Ky konflikt është i ndërtuar edhe mbi paragjykimet e ndërsjella dhe ka ndërtuar paragjykime të tjera. Por, si t’i bëhet nëse të gjitha paragjykimet mund të shemben kur një çifti serb që do të celebrojë dasmën e vet religjioze ta zhvillojë në Prizren, Republikë të Kosovës, t’i jepet urim shqip, serbisht e anglisht? Që përtej paragjykimeve të deridjeshme, kjo dasmë e një çifti serb në Prizren të jetë një realitet, për më tepër një normalitet?” –shkruan ai.

Tutje, Surroi tregon se ishte një numër i konsiderueshëm, ndonëse jo shumicë, që e mirëpritën postimin e tij në “X”. Megjithatë, Surroi shkruan edhe për vulgaritetin e njerëzve, ndonëse jo shumicë, ndaj tij, shqiptarëve e serbëve.

“Ishte një numër i konsiderueshëm, ndonëse jo shumicë, i qytetarëve në “X” që e kanë mirëpritur një urim të këtillë. Ishin shqiptarë, serbë, ish-banorë të Jugosllavisë, njerëz shtetesh evropiane e SHBA. Ishte edhe një numër i konsiderueshëm, ndonëse jo shumicë, i qytetarëve në “X”, të cilët përdorën vulgaritete ndaj meje dhe sharje e ofendime qoftë ndaj serbëve apo shqiptarëve - në rrjete sociale nuk u iket rasti për të vjellë vrerë shovinizmi.” – vazhdon Surroi.

Pasi shpjegon “mbretërinë e pandërprerë të miteve e legjendave” të shqiptarëve e serbëve, Surroi shtron një pyetje interesante.

“A është shenjë normaliteti apo vepër subversive ecja e dashuruar e dy serbëve në Shatërvan, një përputhje e mendimit të skajshëm serb me mendimin e skajshëm shqiptar?” – shkroi ai.

Lajme të ngjashme