Sulmi terrorist në Banjskë, Osmani takon ambasadorët e QUINT-it
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka takuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, me të cilët ka diskutuar për situatën aktuale në veri të vendit pas sulmit terrorist të Serbisë kundër Kosovës.
E para e shtetit ka falënderuar ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian për solidaritetin e shprehur për vrasjen e heroit të Kosovës.
Ajo ka vlerësuar lartë punën e shkëlqyeshme të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në ballafaqimin me sulmin terrorist.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë ta promovojë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të punojë me komunitetin lokal serb për t’i afruar dhe integruar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani, sipas komunikatës për media të Presidencës.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet aleate dhe koordinimit të institucioneve të sigurisë, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së akteve të tjera.