Sulmi në Banjskë pikë kthese në dialog, Kosova duhet ta shfrytëzojë - NACIONALE

Sulmi në Banjskë pikë kthese në dialog, Kosova duhet ta shfrytëzojë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit po konsiderohet si pikë kthese për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Sulmi që shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtetit serb po kërkohet të shfrytëzohet nga Kosova.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë e dije se Kosova tani e ka një rast të mirë për ta fuqizuar pozicionin e saj në dialogun e Brukselit.

Drejtor i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka bërë me dije se sulmi terrorist në Banjskë do të ketë ndikime të rëndësishme në dialogun Kosovë - Serbi.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka treguar se ky akt agresioni nga ana e Serbisë do ta bëjë të domosdoshëm trajtimin e çështjeve të sigurisë në procesin e dialogut.

Mendoj që ky sulm do ta bëjë të domosdoshme edhe trajtimin e çështjeve të sigurisë, me një aneks të veçantë, që do duhej t’i bashkëngjitej Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit”, ka thënë ai.

Peci ka vlerësuar se Kosova pas këtij sulmi duhet të angazhohet në dialog, duke përmbushur obligimet që ka marrë në këtë proces.

Kosova duhet pa asnjë hamendje të angazhohet në dialog dhe të merr edhe hapa drejt zbatimit të saj, sidomos përmes përgatitjes sa më të shpejtë të draftit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin me çdo gjasë është zotuar Presidentja Osmani në SHBA”, është shprehur Peci.

Edhe analisti Emir Abrashi mendon se Kosova duhet t`i shfrytëzoj rrethanat e reja.

Sipas tij, tani Kosova ka një rast të art për ta fuqizuar pozicionin e saj në dialogun e Brukselit.

Që nga ardhja në krye e Qeverisë Kurti II, ka pasur sfida në koordinimin dhe komunikimin efektiv me partnerët ndërkombëtarë, sfida këto të cilat kanë bërë që Kosova – përveçqë të duket palë joserioze dhe jokonstruvtive në procesin e dialogut – të marrë barrën për ngecjet në këtë proces. Mirëpo, pas sulmit në Bansjkë, Kosova e ka një mundësi të artë të cilën duhet ta shfrytëzojë, në mënyrë që të arrijë deri te përmbushja e qëllimeve të saj në dialog”, ka vlerësuar ai në një shkrim për “Sbunker”.

Me tej, ai ka vlerësuar se pala kosovare duhet të jetë e kujdesshme dhe të koordinohet për çdo gjë me aleatët perëndimor.

Palës serbe i është shpërfaqur fytyra e vërtetë dhe është e rëndësishme që në këtë fazë pala kosovare të mos ndërmarrë veprime të cilat në çfarëdo forme do t’ia mundësonin Serbisë që të dalë nga kjo situatë “pa ferrë në këmbë”. Përkundrazi, institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme që të gjithë hapat t’i bëjnë në sinkron me partnerët e vendit, të cilët më pas do të kenë mundësi që Serbisë t’ia rrisin presionin drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian”, ka shkruar Abrashi.

Ndërsa, analisti tjetër Shenoll Muharremi ka bërë me dije se deri tani Kosova kishte rënë në kurthin e Serbisë.

Sipas tij, tani Kosova duhet të dalë nga ky kurth.

Nuk erdhi sulmi i Banjskës brenda natës. Një seri ngjarjesh të orkestruara mirë në një periudhë të gjatë na sollën në momentin më kritik të sigurisë kombëtare të Kosovës: U fitua beteja diplomatike, Kosova u izolua; Qeveria e Kosovës u mashtrua të ndajë rrugët me SHBA, Gjermani.. "momenti Naiv"; Aleatët u larguan nga Kosova, u afruan me Serbinë; U nda dhe izolua Qeveria e Kosovës me të Shqipërisë; U polarizua thellësisht skena politike në Kosovë; Procesi i dialogut u ngushtua tek asociacioni pa njohje për të dështuar në fund; Kriza e inflacionit dhe çmimeve astronomike përfshi Qeverisja e Dobët përshkallëzuan gjendjen dramatikisht dhe dobësuan vendin”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se tani Kosova duhet t`i eliminoj të gjitha gabime që ka bërë deri me tani.

Konteksti gjeo-politik dhe kërcënimet e sigurisë në Europë përfshi keqleximin e qeverisë për ngjarjet globale e vendosën Kosovën në momentin më kritik të sigurisë pas pavarsisë. Me ndihmën e disa miqëve specifik që po luftojnë agresionin Rus në Europë i gjithë suksesi i komplotit të regjimit të Beogradit kundër Kosovës dështoj në Banjskë. Tash Kosova duhet të këndellet dhe analizoj të gjitha gabimet dhe të dal nga Kurtha e Vuçiqit duke ndryshuar dhe kthyer mbrapsht (Reverse Engineering) të gjithë shtatë pikat për ta transformuar pozicionin e saj pozitivisht apo në gjendjen ku ishte më parë”, ka shkruar Muharremi.

Lajme të ngjashme